Microsoft dhe “Laboratori i Kasperski-t” kanë përgatitur një nga ujditë më të mëdha ndërkombëtare. Korporata transnacionale do të furnizojë kompaninë ruse me programet më të fundit Software. Sipas kushteve të kontratës, produktet janë të destinuara për përfaqësitë e “Laboratori i Kasperski-t” në Evropën Perëndimore dhe Evropën Lindore, në Amerikë, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë.

Sipas kushteve të kontratës programet Software do të instalohen në më shumë se 2000 kompjutera dhe 400 servera. Plus kësaj do të krijohet një Cloud privat në qendrat e përpunimit të të dhënave të “Laboratori i Kasperski-t”, tregon Zëdhënësja e kompanisë Microsoft në Rusi Tatiana Vikullova:

- Aplikimi i teknologjive Cloud është bërë aktualisht një tendencë e qëndrueshme. Ky është një model i ri i përdorimit të teknologjive informative, në përputhje me të cilin ato shfrytëzohen si shërbim (service) nëpërmjet Internetit dhe paguhen në bazë të masës së konsumit. Ndërsa kjo do të thotë se IT-zgjidhjet dhe burimet e nevojshme për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave mund të merren me qira si një shërbim i gatshëm, në vend që të shpenzohen para për integrimin, blerjen dhe mirëmbajtjen e burimeve vetiake. Ekzistojnë Clouds të llojit publik (kur të gjitha resurset përqendrohen tek një furnizues i caktuar dhe kompania heq dorë plotësisht nga IT e vet) si dhe private (kur IT-resurset mbeten në kuadër të kompanisë, por ndryshon qasja dhe arkitektura e vendosjes së tyre).    

“Laboratori i Kasperski-t” është jo vetëm porositës, konsumator i produkteve të Microsoft. Ai del gjithashtu edhe në rolin e IT-partnerit të madh të korporatës në sferën e përpunimit të programeve Software. Kontrata aktuale me përmasa impresionuese është tejet e rëndësishme për të dyja kompanitë. Në vende të ndryshme të botës ekzistojnë tashmë përfaqësitë e “Laboratori i Kasperski-t” dhe shumë kompani bashkëpunojnë me të edhe në kontinente të tjera. Në lidhje me zhvillimin e këtij projekti të madh dhe tejet ambicioz rus është i domosdoshëm aplikimi i standarteve të unifikuara nga korporatat në të gjitha sferat e veprimtarisë, dhe, në veçanti, në fushën teknike.

0Aktualisht “Laboratori i Kasperski-t” është një nga katër prodhuesit më të mëdhenj botëror të programeve Software anti-virus. Produktet e “Laboratori i Kasperski-t” shfrytëzohen aktivisht nga më shumë se 300 milionë përdorues në mbarë botën.

Daria Manina