Kriza rreth Iranit u përshkallëzua përsëri. Ndaj njoftimit të shkencëtarëve iranianë mbi rifillimin prej tyre të pasurimit të karburantit bërthamor Moska dhe Uashingtoni reaguan me kritikë të ashpër, kurse çmimet botërore të naftës iu nënshtruan oshilacioneve të radhës.

Irani po vazhdon punimet për pasurimin e uraniumit deri në nivelin 20% në qendrën e re nëntokësore “Fordu”. Siç njoftojnë ekspertët, pas kapërcimit të pragut 20% të pasurimit të uraniumit, Irani nuk do të ndeshë më në kurrfarë pengesash për krijimin e armës bërthamore. Një skenar i tillë është krejtësisht i papranueshëm si për Perëndimin, ashtu dhe për Rusinë. Në Moskë konstatuan: Teherani vazhdon të shpërfillë kërkesat e komunitetit ndërkombëtar, gjë kjo që shkakton me të vërtetë keqardhje.

Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton, nga ana e vet, i bëri thirrje autoriteteve iraniane për të pezulluar menjëherë punimet e pasurimit të uraniumit dhe në të njëjtën kohë theksoi se Uashingtoni do të vazhdojë t’i përmbahet kursit për zgjidhjen e problemit me rrugë diplomatike.

Megjithatë dihet fort mirë se Uashingtoni nuk mjaftohet vetëm me diplomacinë. Më të zakonshme për të janë metodat e ushtrimit të presionit ekonomik dhe politik. Në nëntor SHBA, Kanadaja dhe Britania e Madhe tashmë vendosën sanksione të drejtuara kundër sektorit të energjisë dhe atij financiar të Iranit. Tani senatorët amerikanë i bëjnë thirrje BE-së për të vendosur urgjentisht embargon ndaj importeve të naftës iraniane. Vetë SHBA nuk mund ta bëjnë këtë gjë, meqenëse nuk blejnë naftë nga Irani. Por ato përpiqen me të gjitha mënyrat të ushtrojnë presion mbi këtë vend me ndihmën e aleatëve të vet. Por nuk duhet lënë në harresë edhe ai fakt, se rreziku kryesor kërcënues Iranit i vjen nga Izraeli. Vetëm fare para pak kohësh politikanët izraelitë kanë deklaruar: se vendi i tyre është i gatshëm të japë goditje mbi objektet e Iranit.

Por veprime ushtarake në shkallë të gjerë kundër Iranit nuk do të ketë megjithatë, mendon eksperti orientalist rus Vladimir Sotnikov:

- Të dyja palët e kuptojnë për mrekulli se ekziston një kufi i caktuar, i cili lë të hapur mundësinë për t’i zgjidhur problemet me ndihmën e diplomatëve. Amerikanët, në fakt, arritën vendosjen e sanksioneve të veta ekonomike ndaj Iranit, por tani, në prag të zgjedhjeve presidenciale, Presidentit Barack Obama nuk i leverdis aspak të fillojë ndofarë veprimesh ushtarake kundër Iranit.

Megjithatë, pavarësisht nga përkeqësimi i situatës, Teherani, si dhe më parë, vazhdon të shpresojë në ndihmën diplomatike nga ana e Rusisë dhe Kinës. Edhe në Moskë, edhe në Pekin janë mëse të bindur: se shpërthimi i luftës mund të bëhet katastrofë jo vetëm për rajonin, por dhe për botën në përgjithësi.

Ilia Harllamov