Rubla ruse do të bëhet valutë pagese në marrëdhëniet tregtare dypalëshe midis Rusisë dhe Iranit. Kështu deklaroi Ambasadori i Republikës Islamike në Moskë Seid Mahmud Reza Saxhali (Seyed Mahmoud-Reza Sajjadi).

Sipas tij, që vitin e kaluar, gjatë samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, presidenti i Rusisë Dmitri Medvjedev i propozoi homologut të tij iranian, Mahmud Ahmadinexhadit, për t’i kryer llogaritë e ndërsjellta financiare me rubla. “Që nga ky moment, shumë nga tregtarët tanë filluan t’i kryenin llogaritë financiare, jo me dollarë, siç vepronin më parë, por me rubla”, shprehet Ambasadori iranian. Tashmë, të gjitha llogaritë me Rusinë do kryhen vetëm me rubla.

Në radhë të parë, veprimi i Teheranit ështe një hap hedhur si përgjigje ndaj sanksioneve të reja, që SHBA-të ndërmorrën kundër Republikës Islamike. Në fillim të janarit, Presidenti Barak Obama, me anë të një urdhërese u ndaloi atyre kompanive të huaja, që punojnë me Bankën Qendrore Iraniane, hyrjen në sistemin amerikan financiar.

Nga pikëpamja e Rusisë, sanksionet kundër Bankës Qendrore të Iranit janë të paligjshme. Me hapin e saj Moska le të kuptojë, se problemi me programin bërthamor iranian, mund te zgjidhet vetëm me anë të negociatave, tha Saxhali.

Ndërkaq, pas veprimeve të Rusisë, nuk qëndron vetëm politika, por edhe llogaritë ekonomike, shprehet politologu rus Leonid Poliakov:

-Rubla për pesë vitet e fundit e ka rekomanduar veten në arenën ndërkombëtare si një valutë pak a shumë e sigurtë. Këtë e bën të mundur edhe ideja e Presidentit të FR-së Medvediev mbi krijimin e Qendrës Financiare Ndërkombëtare në Moskë. Përveç kësaj, është më e sigurtë të përdorësh monedhën kombëtare në situatat, kur shfaqen risqe globale.

Shfaqja e një lojtari të tillë si Irani është një stimul i ri për ekonominë ruse, rritjen e kërkesës për valutën e saj kombëtare, mendon eksperti rus Dmitri Aleksandrov:

- A ka marrëdhënie dypalëshe midis dy vendeve tona? Ka. A ka projekte të përbashkëta? Ka. Çështja shtrohet vetëm, nëse Irani është në gjendje të kryejë pagesat në kohë. Megjithëse, më parë, në kohë krizash, Irani e ka treguar veten partner të sigurt, i cili i përmbush gjithnjë detyrimet e veta. E rëndësishme është që të mos lindi ndonjë keqkuptim politik me partneret tanë europianë dhe amerikanë.

0Ky keqkuptim, zor se mund të lindë, përderisa Irani hoqi dorë nga përdorimi i dollarit në llogaritë tregtare, jo vetem me Rusinë, por edhe me Kinën, Japoninë dhe Indinë.

Svetllana Andreeva