Që nga 1 janari i vitit 2012 të gjitha kompanitë ruse, të cilat janë të angazhuara me transportimin e pasagjerëve, obligohen të instalojnë në mjetet e transportit pajisjet e sistemit satelitor të navigacionit global rus GLONASS. Pa këtë pajisje mjetet e transportit nuk do të marrin dot licencën për transportimin e pasagjerëve.

Gjithashtu që nga viti 2012 i gjithë transporti në Rusi, që shfrytëzohet për nevojat shtetërore, duhet të pajiset me sistemin GLONASS. Tani për tani kjo kërkesë përhapet vetëm mbi automjetet që transportojnë ngarkesa të posaçme dhe mallra të rrezikshme. Sistemi rus i pozicionimit global u vu në shfrytëzim që në vitin 1993. Por procesi i zbatimit të tij në sektorët e transportit dhe segmente të tjera ka qenë shumë i ngadalshëm. Si argument kryesor, i cili pengonte zgjerimin e sferës së përdorimit të GLONASS, përmendej kostoja e lartë e pajisjeve sinjalmarrëse të navigacionit. Si dhe fakti, se nuk ishtë formuar plotësisht komponenti i grupit satelitor të sistemit. Por tani këto probleme janë eliminuar, thotë Drejtori ekzekutiv i grupit të kompanive “M2M” Aleksei Smiatskih:

- Aktualisht të gjitha problemet teknike, të cilat kanë qenë pengesë për zbatimin në shkallë të gjerë të GLONASS, kanë gjetur zgjidhje. Grupimi satelitor është vendosur plotësisht. Vëllimet e prodhimit të pajisjeve të navigacionit në Rusi po rriten çdo vit në disa herë, gjë kjo që ndikon në uljen e konsiderueshme të kostos së tyre. Tani çmimi i tyre është i krahasueshëm me atë të produkteve analogjike të sistemit GPS.

Në ditët tona veprojnë në mbarë botën vetëm dy sisteme globale - GLONASS dhe GPS. Aty nga vitet 2014-2016 ka shumë mundësi të fillojë të punojë edhe sistemi evropian i navigacionit GALILEO. Po zhvillon sistemin e vet të pozicionimit global edhe Kina. Ndërsa kjo do të thotë se konkurrenca në këtë treg do të vijë duke u rritur dhe Rusia nuk mund ta injorojë këtë fakt, nëse dëshiron të mbetet konkurruese në të, thotë Aleksei Smiatskih.

0Aktualisht në Rusi sistemet e navigacionit si ai rus, ashtu dhe amerikan përdoren në të gjitha llojet e transportit - ajror, hekurudhor, detar, rrugor, thekson eksperti. Shembuj realë të zbatimit të tyre ka shumë. Bile më tepër se kaq, aktualisht po vjen duke u zgjeruar fusha e mundësive. Dhe mund të flitet jo vetëm për transportin, por edhe për pajisjen me këto mjete të personave fizikë. Në një sërë vendesh tashmë ekzistojnë programe për aplikimin e teknologjive të navigacionit në fushën e shëndetësisë dhe shërbimeve sociale. Së shpejti edhe në Rusi do të fillojë përdorimi i teknologjive të tilla me shfrytëzimin e sistemit rus GLONASS.

Oleg Nehaj