Në Primorie (Primorye), në Lindjen e Largët të Rusisë, ku po krijohet Parku kombëtar “Toka e Leopardit” («Земля Леопарда»), një nga fotokamerat automatike ka fiksuar leopardin e ri, një nga llojet më të rralla të familjes së maceve në botë. Numri i popullatës botërore të tyre nuk i kalon të 45 individët.

Vendi i banimit të tyre është tejet i kufizuar. Leopardi mund të ndeshet në pyjet malore të tajgave të Lindjes së Largët të Rusisë, në verilindje të Kinës dhe në Gadishullin Korean.

Për të vëzhguar këtë kafshë të fshehtë, tejet të kujdesshme nuk është aspak e lehtë. Në rezervatin e Primories “Lugina e Kedrave” («Кедровая падь»*) shfrytëzojnë foto-kamerat automatike. Falë video-survejimit aktualisht bashkëpunëtorët e rezervatit njohin një për një të gjithë leopardët e tij. Sepse konfiguracioni i pullave në lëkurën e leopardëve është krejtësisht individual për çdo specie, po ashtu si dhe shenjat e gishtave të njerëzve, thotë koordinatori i Programit për ruajtjen e biodiversitetit i filialit të qarkut Amur të Fondit Botëror për Natyrën e Egër të Rusisë (WWF) Sergei Aramilev:

- Leopardin e identifikojnë duke u bazuar në formën e pullave dhe vendosjen relative të grupeve të pullave. Ato ngjasojnë me konstelacionet. Tashmë është përpunuar software programi, i ngjashëm me atë të përcaktimit të shenjave të gishtave të njerëzve, i cili mundëson në regjim automatik identifikimin e leopardëve. Gjatë 8 viteve të hulumtimeve të zhvilluara në këtë territor u evidentua rritja e popullatës së leopardëve. Kështu, në qoftë se në vitin 2002 në pjesën jugore të rezervatit jetonin 7-9 individë të këtij lloji macesh të rralla, këtë vit është fiksuar numri 12. Edhe në pjesën veriore të tij është regjistruar rritja e numrit të leopardëve. Ndërsa kjo sugjeron se ekziston tendenca për rritjen e popullatës së këtyre kafshëve të mrekullueshme.

Me krijimin e Parkut kombëtar “Toka e Leopardit” territori i marrë nën mbrojtje do të zgjerohet në mënyrë të ndjeshme. Ky projekt ambicioz përfshin bile dhe ristrukturimin e një pjese të sektorit të kufirit shtetëror ruso-kinez, thotë Sergei Aramilev:

- Në territorin e Kinës, pothuajse ngjitur me parkun tonë, ndodhet rezervati Hunchun. Ekziston pikësynimi për të nënshkruar në nivel ndërqeveritar marrëveshjen me rezervatin kinez për krijimin në bazë të tij të territorit traskufitar. Kjo do të bëjë të mundur shkëmbimin e përvojave, informacionit dhe do të ndihmojë për të shmangur shumë probleme që lindin nga ushtrimi i gjuetisë pa leje. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse për kafshët nuk ka kufij: leopardët depërtojnë në territorin e Kinës dhe pastaj kthehen përsëri në rezervatin rus. Për ne është e rëndësishme që kafshët të mbrohen dhe të mbarështohen.

Për specialistët periudha e dimrit dhe fillimit të pranverës është koha më optimale për zhvillimin e punëve që kanë të bëjnë me numërimin e kafshëve. Gjethet e pemëve nuk pengojnë procesin e vëzhgimit, mbikëqyrjes së kafshëve, ndërkohë që edhe gjurmët e tyre është më lehtë të identifikohen në dëborë. Ambientalistët rusë shpresojnë shumë se popullata e leopardëve të Lindjes së Largët të Rusisë do të rritet, kurse mbi jetën e këtyre maceve shumë të rralla do tu tregojnë më shumë njerëzve fotot dhe video xhirimet e reja të jetës së tyre në rezervat.

0*падь - pad (kështu quhet në Siberinë Lindore dhe Lindjen e Largët të Rusisë lugina e thellë dhe e ngushtë, apo ndryshe gryka, qafa e malit)

Svetllana Kallmikova