Bankierët komentojnë sot në mënyrë mjaft aktive rezultatet e takimit të Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel. Në vigjilje në Berlin dy udhëheqësit diskutuan formimin e Fondit Evropian të Stabilizimit, krizën e borxheve në Greqi dhe perspektivat e nënshkrimit të marrëveshjes së re buxhetore në kuadër të Bashkimit Evropian. Edhe pse propozime konkrete në bazë të rezultateve të takimit nuk pati, investitorët megjithatë e pritën pozitivisht atë.

Kancelarja e Gjermanisë dhe Presidenti i Francës diskutuan në Berlin masat për stabilizimin e barrës së borxheve të vendeve të BE-së. Për këtë qëllim, sipas fjalëve të Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy, është e nevojshme të nënshkruhet një pakt integrues buxhetor. Kjo çështje jashtëzakonisht e rëndësishme për zonën e euros do të diskutohet më 23 janar në takimin e ministrave të financave të vendeve të BE-së dhe më 30 janar në samitin e liderëve evropianë.

Nicolas Sarkozy deklaroi se Gjermania dhe Franca shpresojnë ta nënshkruajnë paktin e buxhetit të Bashkimit Evropian aty nga data 1 mars. Dhe ky është një lajm shumë i rëndësishëm për tregjet, thotë analisti i Kompanisë ruse të investimeve “Alfa Capital” Vladimir Bragin:

- Situata është shumë e thjeshtë: duhet të bëhet ose integrimi maksimal fiskal në nivelin e buxheteve, ose të realizohet njëfarë reforme e gjithë zonës së euros duke u bazuar në faktin se disa vende do të duhet ta braktisin atë dhe të rikthehen tek monedhat e veta kombëtare. Por tani për tani nuk po vërehet ndonjë lëvizje aktive as në njërin kah dhe as në kahun tjetër. Situata vazhdon të mbetet ashtu siç është tani - e paqëndrueshme.

Mbi krijimin e paktit buxhetor liderët e vendeve të BE ranë dakort në dhjetor të vitit 2011. Në të do të përfshihen 17 vende të zonës së euros dhe 6 shtete të Bashkimit Evropian, të cilat nuk kanë kaluar tek përdorimi i monedhës unike - euros. Dokumenti i ri do të përforcojë ligjërisht kërkesat ndaj politikës fiskale të shteteve. Kjo duhet të përmirësojë, të rreptësojë disiplinën financiare, të minimizojë barrën e borxhit dhe të ndihmojë për kapërcimin e krizës.

0Merkel dhe Sarkozy deklaruan gjithashtu se do të mbështesin propozimin për aplikimin e taksave të reja mbi transaksionet financiare në zonën e euros. Ata konfirmuan edhe një herë se fjalët që qarkullojnë mbi daljen e ndonjë vendi nga zona e euros janë krejtësisht të pabaza.

Roman Mamonov