Presidenti i Serbisë Boris Tadiç vizitoi me rastin e Krishtlindjeve orthodhokse një nga manastiret që ndodhen në territorin e Kosovës. Gjatë vizitës në fjalë ai bëri disa deklarata me karakter politik, të cilat shkaktuan pakënaqësinë e autoriteteve në Prishtinë.

Udhëheqësi i Serbisë deklaroi se nuk do të bjerë kurrë dakort për dhënien e pavarësisë Kosovës në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Me këtë ai hodhi poshtë kushtet e parashtruara nga Brukseli, të cilat e detyrojnë Serbinë të bëjë një sërë lëshimesh (koncesionesh) të njëanshme dhe jopopullore. Vëzhguesit e lidhin këtë me refuzimin e Brukselit për dhënien Serbisë të statusit të kandidates për anëtarësim në BE, i cili i është premtuar asaj që disa vjet më parë. Ja mendimi në lidhje me këtë i ekspertit rus për vendet e Ballkanit Pjotër Iskenderov:

-  Në situatën e tanishme Beogradi ka dy rrugëdalje. E para, të përmbushë të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian dhe të njohë, faktikisht, pavarësinë e Kosovës. Por ky variant është i mbarsur për të me humbje jashtëzakonisht serioze në skenën e brendshme politike dhe me rënien akoma dhe më të madhe të rejtingut të koalicionit drejtues në vend. Varianti i dytë i mundshëm: rreptësimi i pozitës në lidhje me problemin e Kosovës, rrugë kjo që do të çojë në një konflikt të caktuar me udhëheqjen e Bashkimit Evropian. Një hap i tillë është i leverdisshëm nga pikëpamja e situatës së brendshme politike, pasi do t’i lejojë koalicionit qeverisës që t’i fitojë disa pikë opozitës radikale. Aktualisht Presidenti i Serbisë, në fakt, nuk humbet shumë duke bërë deklarata të tilla, meqenëse duket në mënyrë mëse evidente se edhe në muajin mars, kur Bashkimi Evropian do t’i rikthehet shqyrtimit të kërkesës serbe për anëtarësim, ajo nuk ka gjasa të pranohet. Në këtë mënyrë, Boris Tadiç do të përfitojë një farë hapësirë të caktuar kohore për manovrim dhe në një të ardhme të afërt mund të bëjë në mënyrë të padobishme deklarata të orientuara, para së gjithash, nga elektorati i vet.

0Serbia këto kohët e fundit është shndërruar në njëfarë monedhe këmbimi në politikën e madhe evropiane. Dhe për këtë arsye integrimi i saj në Bashkimin Evropian me çmimin e humbjes së një pjese të territorit të vet dhe cënimin e sovranitetit kombëtar po vjen duke humbur popullaritetin në mesin e serbëve të zakonshëm. Sipas sondazheve më të fundit të pulsit të opinionit publik rezulton se numri i përkrahësve të anëtarësimit të vendit në BE është më i vogël se ai i kundërshtarëve të tij. Dhe Boris Tadiç është i detyruar ta marrë në konsideratë këtë fakt.

Aleksandër Vatutin