Enciklopedinë elektronike “Kronika e operas botërore”, e cila u prezantua më 5 dhjetor të vitit 2011 në Moskë, dirigjenti i shquar rus Valeri Gergiev e quajti “projekt kombëtar të operas”.

Dhe ky nuk është aspak ekzagjerim, sepse botimi përfshin gjithë historinë e ekzistencës së këtij zhanri - që nga shembujt, modelet e para, të cilat u shfaqën rreth 400 vjet më parë, e deri tek veprat e shekullit të XX.

Botimi është realizuar në një kuti elegante me një dizajn mjaft të bukur brenda së cilës ndodhen broshura dhe 4 DVD. Disqet përmbajnë artikuj si dhe mijëra video e audio fragmente nga spektaklet e teatrove të famshëm operistikë të botës. Ky është vetëm një vëllim i Enciklopedisë. Ndërsa gjithsej në të do të jenë tre vëllime. Autor i këtij studimi është Profesor Mihaill Muginshtejn (Mikhail Muginshteyn):

- Unë dëshiroja ta shihja gruan time të dashur, të adhuruar - operan - në të gjithë bukurinë e saj, - shprehet Mihaill Muginshtejn. - Ndodhi kështu që kjo Enciklopedi elektronike është e para në botë, pavarësisht nga fakti se teknologjia dixhitale është përvetësuar tashmë nga të gjithë. Vetëm me ardhjen e kësaj teknologjie është bërë i mundur kombinimi, bashkimi i veprës dhe spektaklit. Në këtë libër janë përfshirë rreth 90% video dhe 10% audio regjistrime. Përmban ai dhe gjëra jashtëzakonisht të rralla. Për shembull, basi i famshëm rus Fiodor Shaliapin këndon arien nga opera “Jetën për Carin” (rusisht «Жизнь за царя»), inçizim i vitit 1908. Dhe, duhet thënë, se ajo tingëllon në mënyrë shumë më moderne në krahasim me interpretimin e kësaj arie nga këngëtarët bashkëkohorë - dy herë më shpejt dhe në formë më kumbuese, më impresionuese. Ndërsa kur shikon, për shembull, regjistrimin e vitit 1928, në të cilën është inçizuar tenori i famshëm italian Tito Schipa duke kënduar Romanca e Nemorino-s, atëhere arrin të kuptosh për mrekulli se arti i Bel Canto ka “vdekur” prej kohësh. Sepse në ditët tona tashmë nuk këndojnë më kështu. Bile dhe Luciano Pavarotti, Nemorino më i shkëlqyer i epokës së vet, e interpretonte romancën në stil më potent. Dhe melankolia e saj çuditërisht e butë, e ëmbël, delikate se ku zhduket...

Autori i Enciklopedisë sjell nga një deri në gjashtë shembuj vizualë për secilën vepër. Ndërsa vepra të tilla vetëm në vëllimin e parë janë plot 200! Dhe ai me plot të drejtë mund të quhet tabllo e gjallë e teatrit të shekullit të XX dhe bile fillimit të atij të XXI. Kështu mendon njëri nga regjisorët më të njohur operistikë të Rusisë Aleksandër Titel:

- Përse është interesant ky libër - përsiat regjisori. - Mua më duket se vendi i tij në kulturë, në histori me kalimin e viteve do të ndryshojë. Meqenëse në të ekziston sinteza e luajtshme e pikëpamjes objektive dhe subjektive ndaj procesit të artit operistik. Bile më tepër se kaq: në video-fragmentet e tij kanë gjetur pasqyrim spektaklet e periudhës nga viti 1980-2010 nga vende të ndryshme të botës. Natyrisht, edhe përzgjedhja e tyre është diktuar nga shijet dhe preferencat e autorit. Por vetë spektaklet janë me të vërtetë të mrekullueshme. Dhe ky libër do t’i japë brezave të ardhshëm gjithë tabllonë mahnitëse të jetës operistike, teatrale. Mendoj se kjo Enciklopedi duhet t’i shërbejë popullarizimit të gjerë të operas.

Natalia Viktorova