Pavarësisht nga paralajmërimet e bëra nga ana e Iranit, SHBA deklaruan se do të vazhdojnë të përfocojnë grupimin e aeroplanmbajtëseve të veta në Gjirin Persik. Ekspertët i përmbahen mendimit se palët konfliktuese i janë afruar tej mase cakut të fillimit të veprimeve të vërteta luftarake.

Sot përfunduan manorvat ushtarake të Iranit në rajonin e Ngushticës së Hormuzit. Nëpërmjet saj realizohet 40% e eksporteve detare të naftës në Evropë dhe SHBA. Ushtarakët iranianë u kërcënuan se do ta bllokojnë ngushticën. Këtij kërcënimi iu përgjigjën aty për aty SHBA me dërgimin në rajonin e zhvillimit të manovrave iraniane të grupit sulmues të kryesuar nga aeroplanmbajtësja “John C. Stennis”. Në përgjigje të këtij hapi Kryekomandanti iranian Ataollah Selehi iu kërcënua Shteteve të Bashkuara “me probleme, telashe të mëdha”, në qoftë se grupimi amerikan do të vazhdojë të rritet, dhe deklaroi se vendi i tij është i gatshëm për të “përballuar gjithfarë rreziqesh kërcënuese dhe se disponon çdo gjë të nevojshme për këtë qëllim”. SHBA iu përgjigjën atij se nuk do të ndalin operacionin, i cili ka për qëllim garantimin e sigurisë në rajon. Tani për tani veprimet e palëve kundërshtare ngjasojnë me tepër lojën e  demonstrimit të muskujve, sepse në fakt as njërës dhe as tjetrës palë nuk i leverdis aktualisht përfshirja në luftë, shprehet me bindje të plotë orientalisti rus Boris Dollgov:

- Irani nuk dëshiron konfliktin me Shtetet e Bashkuara për shkak se nuk zotëron potencialin e duhur për ti rezistuar SHBA, që kanë, përveç të tjerash, edhe aleatë të fuqishëm, të tillë si, për shembull, Izraeli. Sa i përket vetë SHBA, në udhëheqjen e këtij vendi, megjithëse ekziston një lobi i fuqishëm proizraelit, ka megjithatë edhe një lobi tjetër që përfaqëson interesat e njerëzve të cilët nuk janë aspak të interesuar për shpërthimin e këtij konflikti. Dhe në këtë rast gjithçka do të varet nga vendimi politik i udhëheqjes amerikane. Tani për tani vendimi për fillimin e veprimeve luftarake kundër Iranit nuk është marrë.

Në SHBA janë mëse të bindur se Irani vendosi të demonstrojë forcën dhe të bëjë kërcënime për shkak të sanksioneve të ashpra ndërkombëtare të vendosura kundër tij: udhëheqja iraniane provokon apostafat konflikte në arenën ndërkombëtare me qëllim që të shpërqendrojë vemendjen e qytetarëve të vet nga problemet e brendshme ekonomike të vendit. Ky është një version mjaft i guximshëm, mendon Boris Dollgov, meqenëse Irani po arrin të përballojë ndërkohë pa vështirësi barrën e sanksioneve. Por në këtë rast ai po përpiqet të parandalojë rreptësimin e tyre të mëtejshëm:

- Nëse do të vendoset embargo ndaj importeve të naftës nga Irani, gjë më të cilën kërcënohet aktualisht Perëndimi, kjo do të ndikojë në mënyrë mjaft të dhimbshme mbi ekonominë iraniane. Por për sa kohë që vazhdon importi i naftës, Irani merr mjete të konsiderueshme financiare dhe mund të përballojë sanksionet ekzistuese.

I gjithë rreziku i situatës së krijuar tani konsiston në faktin, se në rast fillimi bile edhe të një fushate krejtësisht të vogël, të parëndësishme ushtarake në Gjirin Persik, ky konflikt vetëm për disa ditë mund të përhapet me shpejtësi të paparë dhe të marrë përmasa globale. Në të do të përfshihen në mënyrë të pashmangshme pothuajse të gjitha vendet e rajonit. Dhe kjo nuk do të jetë aspak luftë e gjithë këtyre vendeve kundër Iranit. Sepse ky vend ka jo pak aleatë, mendon ekspertja e Institutit rus të Studimeve Orientale Lidia Kullagina:

- Fuqitë rajonale, natyrisht, janë kundër gjithfarë veprimeve luftarake në rajon. Meqenëse çdo aksion ushtarak, madje dhe operacionet vetëm me përfshirjen e aviacionit, do të bëhen shkas për goditje kundërpërgjigjeje nga ana e Iranit, të cilat, dashur padashur, do të përfshijnë territoret e vendeve fqinje. Në vendet e Gjirit Persik mbizotëron një qëndrim më tepër negativ se pozitiv ndaj Iranit: së pari, për shkak të problemit shiit, dhe së dyti, për arsye të politikës bërthamore që ndiqet nga Irani. Por ka dhe shtete të tilla si, në veçanti, Turqia apo Libani, të cilat në rast shpërthimi të ndonjë lufte do të mbështesin Iranin dhe bile do ta ndihmojnë atë.

0Aleate kryesore e Iranit është Siria dhe pikësynim i të gjitha veprimeve të SHBA në Lindjen e Mesme mbetet rrëzimi i regjimeve politike në të dy vendet në fjalë. Vërtetë, tani për tani, ato nuk kanë mundur të aktivizojnë në asnjë nga këto shtete “skenarin libian”. Në shumë gjëra kjo ndodh për vetë faktin se OKB-ja, Kina dhe Rusia vazhdojnë të dalin në mënyrë këmbëngulëse kundër ndërmarrjes së veprimeve luftarake ndaj Iranit dhe Sirisë, duke i dhënë prioritet zgjidhjes së problemeve ekzistuese me mjete diplomatike.

Anastasia Pershkina