Të ardhurat e Rusisë nga eksportet e armatimeve po vazhdojnë të rriten. Ndër partnerët kryesorë të saj janë India, Algjeria, Venezuela, Kina, Vjetnami. Në vitin 2010 Rusia ka shitur teknikë ushtarake për 11 miliardë $. Sa për krahasim: eksportet ushtarake të SHBA këtë vit përbënë 28 miliardë $.

Emiratet e Bashkuara Arabe, Koreja e Jugut dhe disa vende të tjera importojnë makina ruse të modelit BMP-3  (automjete luftimi me zinxirë që përdoren nga këmbësoria). Indonezia dhe Venezuela blejnë tanke dhe aeroplanë luftarakë rusë. Vlera e kontratave me Kinën për furnizimin e teknikës së aviacionit tashmë arrin 1 miliard $. Një shumë po të tillë shpenzuan Algjeria dhe Vjetnami për avionë gjuajtës rusë. Më shumë se gjysmën e prokurorimit ushtarak në Rusi e bën India. Këto vende importuese nuk ka gjasa të bëjnë blerje në shkallë të gjerë të pajisjeve ushtarake diku tjetër përveç Rusisë, tha eksperti ushtarak rus Aleksandër Kramçihin.

- Teknika ruse shpesh është më e lirë se ajo e prodhuesve të tjerë, ndërsa më kryesorja, vende të tilla si India, Algjeria, Vjetnami janë mësuar tashmë me teknikën tonë ushtarake dhe e përdorin atë që nga epoka sovjetike. Përveç kësaj, me Indinë ne kemi vendosur një kooperim të ngushtë në sferën e prodhimit të teknikës ushtarake. Me ndihmën e palës ruse India po zhvillon industrinë e vet ushtarake.

Ndër të tjera, shumë modele ruse s’kanë analog në botë. Për shembull, nëndetëset e projektit “Borei”, komplekset raketore “Jars” dhe “Topol”. Rusia zotëron potencial të mjaftueshëm dhe bazë të fuqishme teknike për prodhimin e të gjitha llojeve të armatimeve, deklaroi në intervistën dhënë për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” eksperti rus për tregun ushtarak Igor Korotçenko:

- Teknikë ushtarake ne praktikisht nuk blejmë jashtë shtetit. Kemi lidhur vetëm dy kontrata: me Francën - për blerjen e anijeve helikoptermbajtëse “Mistral” dhe me Izraelin - për avionët e papilotuar (drones). Në të gjitha segmentet e tjera kompleksi ushtarako-industrial është plotësisht i vetëmjaftueshëm. Ne jemi në gjendje të prodhojmë gamën e plotë të të gjitha armatimeve për përmbushjen e nevojave të forcave tona të armatosura dhe për eksport.

Julia Ashiullova