Turqia i dha leje Rusisë për shtrimin e gazsjellësit “South Stream” (“Rryma Jugore”) dhe nënshkroi me Azerbajxhanin marrëveshjen mbi ndërtimin e tubacionit Transanatolik (TAR). Ai do të kalojë nëpër një nga itinerarët e “Korridorit Jugor të gazit”, në të cilin përfshihet edhe gazsjellësi “Nabucco”.

Projekti i përbashkët i Turqisë dhe Azerbajxhanit vlerësohet në 5 miliardë $. Kapaciteti i projektuar i tij përbën 35 miliardë metra kub gaz në vit.  Transportimi i gazit nëpërmjet tij do të fillojë në vitin 2017. Azerbajxhani ka premtuar se ndërtimi i TAR nuk do të bëhet aspak pengesë për realizimin e projekteve të tjera të “korridorit”, në veçanti, edhe atij “Nabucco”. Por shumë specialistë janë mëse të bindur se tubacioni Transanatolik do të ushtrojë një ndikim të qenësishëm në planet për transportimin e gazit kaspik dhe iranian nga kufijtë lindorë të Turqisë në Austri, thotë eksperti i Institutit rus të Studimeve Strategjike Axhdar Kurtov:

- Qeveria e Turqisë, në fakt, e ftoi, si i thonë fjalës, në duel projektin “Nabucco”, për realizimin e të cilit ngulnin këmbë kaq shumë vendet evropiane, veçanërisht Austria. Por pavarësisht nga fakti se mjetet financiare të Turqisë janë shumë më modeste se sa ato të vendeve të Evropës, ajo ka letrat e veta të forta në dorë: së pari, afërsinë me Azerbajxhanin - etnike dhe politike, kurse, së dyti, territoret e veta, nëpër të cilat dhe do të shtrohet tubacioni. Megjithatë, praktika dëshmon se qeveria turke dhe biznes-kompanitë turke kanë shkelur në mënyrë të përsëritur marrëveshjet që kanë të bëjnë me kontratat e nënshkruara të gazit. Prandaj beteja nuk mund të quhet e përfunduar dhe mund të pritet ndonjë kundërpërgjigje nga ana e aksionerëve të projektit “Nabucco”.

Gazsjellësi “Nabucco” gëzon me të vërtetë një mbështetje të fuqishme politike, por ai nuk ka një bazë të mjaftueshme burimesh. Përveç kësaj, Turkmenistani nuk mund ta ndërtojë këtë tubacion nëpër fundin e Detit Kaspik pa marrjen e pëlqimit të Rusisë dhe Azerbajxhanit. Është i rëndësishëm gjithashtu edhe fakti se kundër realizimit të këtij projekti del Irani. Duke marrë parasysh të gjitha këto, mund të arrijmë në konkluzionin se realizimi i projektit “Nabucco” ndodhet në gjendje mjaft të nderë.

0Por Evropa ka nevojë për vëllime shumë më të mëdha gazi nga ato që mund ti ofrojë tubacioni Transanatolik, vënë në dukje specialistët. Ndërsa kjo do të thotë se gazsjellësi “South Stream” (“Rryma Jugore”) është i nevojshëm dhe sa më shpejt që të jetë e mundur.

Daria Manina