Teherani ka kërcënuar sërish se do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit nëse vendet e Perëndimit do të vendosin embargo për eksportin e naftës së tij. “As edhe një pikë nafte nuk do të kalojë pas kësaj Ngushticën e Hormuzit”, - paralajmëroi Nënpresidenti i parë i Iranit Mohammad Reza Rahimi. Këto ditë Irani po zhvillon manovra masive ushtarake në Ngushticën e Hormuzit.

Si rezultat çmimet e naftës të martën u rritën sërish. Në këtë sfond SHBA përsëri bënë deklarata kërcënuese në adresë të Iranit. Shefi i Pentagonit Leon Panetta u shpreh se Amerika nuk do të ngurrojë të përdorë çdo mjet për të parandaluar Iranin që të zhvillojë armë bërthamore. Gjatë kësaj Ministri paralajmëroi se në rast se lind nevoja do të jepen goditje preventive mbi objektet bërthamore të Iranit. SHBA njoftuan gjithashtu se kanë për qëllim eliminimin e rrezikut kërcënues iranian së bashku me Izraelin.

Nuk është e përjashtuar që deklarata e Teheranit për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit të jetë një përgjigje, reagim i drejtpërdrejtë ndaj pozitës “agresive prej skifteri” të Shteteve të Bashkuara, të cilën nuk e miratojnë fort edhe aleatët më të ngushta të Amerikës. Për BE-në, siç dihet, eksporti i naftës nga Lindja e Mesme është me rëndësi jetike. Bashkimit Evropian i bien 18% të eksporteve të naftës iraniane dhe deri në 40% të naftës nga e gjithë Lindja e Mesme. Dhe Brukseli bile as për hir të SHBA nuk do të marrë vendimin për përkeqësimin e konfrontimit me Iranin. Në vetë SHBA nuk janë fort të etur për të filluar luftë me Iranin, ndërkohë që edhe vendet e Gjirit Persik nuk do të mbeten spektatore e të bëjnë sehir në rast shpërthimi të ndonjë konflikti ushtarak, thotë ekspertja e Institutit rus të Studimeve Orientale Irina Fiodorova:

- Në qoftë se do të fillojë operacioni ushtarak i SHBA kundër Iranit, vendet myslimane do ta dënojnë me siguri përdorimin e forcës. Ndërsa në qoftë se Irani do të bllokojë Ngushticën e Hormuzit, në këtë rast do të preken interesat e tyre të naftës dhe ato financiare dhe reagimi i tyre mund të jetë jashtë zakonisht i ashpër, i mprehtë.

0Tashmë nuk është hera e parë që Irani kërcënohet të mbyllë Ngushticën e Hormuzit në rastin e vendosjes së embargos së naftës kundër tij. Dhe për ta bërë realitet këtë kërcënim ai ka forca të mjaftueshme. Por Irani kontrollon vetëm pjesën veriore të Ngushticës së Hormuzit, kurse pjesën jugore të saj Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Omani. Ndërkohë çisternat e naftës dhe anijet transportuese të gazit kalojnë nëpër pjesën jugore të ngushticës. Kështu që çdo tentativë e Teheranit për të mbylluar Ngushticën e Hormuzit është e barazvlefshme me shpalljen e luftës vendeve fqinje.

Konstantin Garibov