Situata në Nigeri, ku gjatë fundjavës së kaluar militantët e grupit radikal islamik “Boko Haram” organizuan një seri sulmesh terroriste, po vjen duke u komplikuar dhe tensionuar. Në veriun mysliman të vendit kanë filluar pogromet.

Ekspertët thonë se në qoftë se autoritetet nuk do të mund ta marrin dot situatën nën kontrollin e vet, Nigeria mund të përfshihet atëhere në vorbullën e luftës civile, ndërsa kjo është e mbarsur me rrezikun e shpërbërjes së vendit.

Rrotullimi i ri i tanishëm i spiralit të dhunës mund të eskalojë në luftë civile në shkallë të gjerë, paralajmërojnë vëzhguesit. Por nuk është aspak e saktë të flitet në këtë rast për një kontekst plotësisht fetar. Ekspertët janë mëse të bindur se ajo që po ndodh në këtë vend koordinohet nga një qendër e vetme. Dhe ka shumë të ngjarë që pas sulmeve terroriste të qëndrojë “Al-Qaeda”. Temën e shtjellon më tej eksperti orientalist rus Viktor Nadein-Rajevski:

- Ka shumë gjasa që këto të jenë veprime të koordinuara dhe që organizimi i tyre të realizohet nëpërmjet linjës së “Al-Qaeda”. Autoritetet e Nigerisë, natyrisht, nuk kanë forca të mjaftueshme për të luftuar kundër një organizate të tillë kaq të fuqishme. Grupi radikal islamik “Boko Haram” është një strukturë mjaft e organizuar, që i nënshtrohet disiplinës së rreptë, i cili koordinon veprimet e gjithë luftëtarëve të vet. Ekspertët amerikanë mendojnë se ky grup është i lidhur me “Al-Qaeda”. Ndërkohë që nuk përjashtohet edhe varianti i shpërbërjes së Nigerisë.

Shqetësimin e vet në lidhje me zhvillimin e ngjarjeve në Nigeri e shprehën tashmë BE-ja dhe SHBA. Dhe shkas për këtë janë jo vetëm arsyet politike, por dhe ekonomike - Nigeria është një nga furnizueset më të mëdha të naftës në tregjet botërore. Por për sa kohë që nuk do të ketë rrezik kërcënues real për vendburimet e naftës, Perëndimi haptazi nuk do të ndërhyjë në konfliktin e brendshëm në këtë vend.

0MPJ e Federatës Ruse tashmë dënoi mjaft rreptë shpërthimin e dhunës në Nigeri, kurse Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev i shprehu ngushëllimet e veta homologut të tij nigerian Jonathan Goodluck në lidhje me viktimat e serisë së sulmeve terroriste. Anëtari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dumës Shtetërore të Rusisë Andrei Klimov njoftoi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë”, se në një kohë të afërt deputetët rusë do të formulojnë propozimet e veta për organizatat ndërkombëtare me qëllim të normalizimit të situatës në Nigeri.

Roman Mamonov