Një nga instrumentet më të vjetra muzikore, që vazhdon të ruhet deri në ditët tona në kulturën e më shumë se 200 popujve të botës, Khomus u nis për në kozmos.

Ai u morr me vete nga kozmonauti rus Oleg Kononenko, i cili këto ditët e fundit mbërriti në Stacionin Kozmik Ndërkombëtar (SKN) në përbërjen e ekspeditës së 28-të. Oleg Kononenko premtoi natën e Vitit të Ri, kur astronautët dhe kozmonautët do të urojnë banorët e planetit me rastin e festës së mrekullueshme të fundvitit, ti shoqërojë urimet me melodinë e Khomus-it.

Se në cilin vend u duk për herë të parë ky instrument muzikor nuk dihet me saktësi deri tani. Edhe mosha e tij vazhdon të mbetet gjithashtu një mister. Në vështrim të parë Khomus duket një instrument jashtëzakonisht i thjeshtë. Përbëhet ai nga një kornizë metalike, e cila është e ngjashme me një kamerton, dhe një gjuhëz vibruese. Ky instrument shtrëngohet me dhëmbë dhe goditet butësisht me gishtërinj. Pas kësaj ai fillon të lëshojë tinguj melodikë, të cilët janë të aftë të përcjellin një masë të madhe emocionesh: në duart e një mjeshtri të vërtetë Khomus mund “të qajë”, “të qeshë” si dhe të imitojë për mrekulli tingujt e natyrës.

Në Republikën e Jakutisë (Yakutia) ndaj instrumentit muzikor Khomus mbahet një qëndrim krejtësisht i veçantë. Ai është shpallur bile dhe thesar kombëtar. Të rinjtë mësojnë me shumë dëshirë të luajnë në këtë instrument - kjo është një tendencë e modës. Ekzistojnë shumë ansamble familjare, ndërsa farkëtarët e Jakutisë, sipas vlerësimeve të ekspertëve, bëjnë instrumentet më të mira në botë. Në kryeqytetin e Republikës - Jakutsk (Yakutsk) është hapur Muzeu i vetëm në botë i instrumentit muzikor Khomus, në të cilin janë mbledhur mostra nga 45 vende të ndryshme.

Kozmonauti rus Oleg Kononenko e mori instrumentin e moçëm në bagazhin e tij personal me vete në SKN: Khomus nuk është më i madh se pëllëmba e dorës, peshon vetëm 90 gramë, kështu që nuk krijon kurrfarë problemesh me peshën e tepërt. Sigurisht, kozmonauti para se të nisej për në kozmos mori disa mësime të lojës me këtë instrument, sepse interpretimin e tij do ta dëgjojë e gjithë bota. Por ai pranon se as që pretendon të arrijë ndonjëherë përsosmërinë e ekzekutimit të mjeshtres virtuoze Albina Degtiareva. Sepse vetëm të përzgjedhurit mund të luajnë me këtë instrument ashtu si artistja e njohur nga Jakutia: 

Shkarko audiofailin

Tatiana Zaviallova