Qendra mbarëruse për Hulumtime të Opinionit Publik (VCIOM) në sondazhin e vet social tradicional në vigjilje të Vitit të Ri, të zhvilluar më 17-18 dhjetor, anketoi 1.600 banorë në 46 rajone, qarqe dhe republikave të Federatës Ruse.

Vlerësimet e vitit në përfundim nga ana e tyre rezultuan më pozitive se ato të viteve të mëparshme: 57% e rusëve e konsiderojnë atë më të mirë për veten dhe familjet e tyre. Dy vjet më parë kështu mendonin vetëm 42% e respondentëve.

Në mënyrë shumë më optimiste rusët filluan të shikojnë në të ardhmen: 65% presin që viti i ri të jetë më i favorshëm për ta, 2 vjet më parë për këtë shpresonin vetëm 42% e të anketuarve. E tillë është edhe tendenca përkatësisht perspektivave të zhvillimit të vendit.

Ngjarje kryesore të vitit në përfundim për rusët u bënë kryengritja e armatosur kundër regjimit të Gaddafi në Libi dhe avaria në centalin bërthamor japonez “Fukushima-1” - ato kanë marrë 11% të zërave të respondentëve. Në vendin e tretë renditet kriza ekonomike globale, duke përfshirë edhe atë të zonës së euros (5% e të intervistuarve).

Ndër ngjarjet më të rëndësishme në Rusi në vend të parë renditen zgjedhjet parlamentare të 4 dhjetorit (34% e respondentëve). Në treshen e parë u përfshinë gjithashtu pranimi i Rusisë në OBT - 5% dhe dorëheqja e Ministrit të Financave Aleksei Kudrin - 4%.

Mjaft i pazakontë duket nominimi “Skandalet e vitit”, thotë Drejtori i përgjithshëm i VCIOM-it Valeri Fjodorov:

- Skandali kryesor i vitit 2011, sado i çuditshme që të duket ky konstatim, ndodhi megjithatë në vitin 2010. Por, me sa duket, ishte aq tingëllues saqë pothuajse pas një viti e gjysmë mbas shkarkimit të Juri Lluzhkov nga posti i Kryetarit të Bashkisë së Moskës ai cilësohet si skandali më i madh politik. Vendin e dytë e ndanë midis tyre zgjedhjet në Dumën Shtetërore dhe mitingu i famshëm kundër rezultateve të zgjedhjeve parlamentare në Sheshin Bollotnaja të Moskës.

Ndër pesë skandalet më të bujshme hynë gjithashtu arrestimi i ish Kryeministres ukrainase Julia Timoshenko (3% e të intervistuarve) dhe dorëheqja e Aleksei Kudrinit (2%). Sondazhi i zhvilluar në vigjilje të Vitit të Ri demonstron mjaft qartë dallimet e mëdha në vlerësimin e ngjarjeve nga femrat dhe meshkujt, vë në dukje Valeri Fjodorov:

- Femrat janë më pozitive, më optimiste dhe më të qeta në vlerësimet e veta. Meshkujt janë më të pakënaqur, në disa gjëra bile disi agresivë, protestues. Shembulli më i dukshëm - votimi në zgjedhjet parlamentare. Dihet se preferenca në favor të Partisë “Rusia e Bashkuar” është shumë më e theksuar midis femrave. Përfaqësuesit e seksit të fortë ka shumë gjasa ta kenë dhënë votën e tyre për partitë opozitare.

0Sipas mendimit të shumicës së rusëve - edhe femra, edhe meshkuj - tragjedia më e tmerrshme e vitit u bë vdekja e anëtarëve të ekipit të hokeit të klubit “Lokomotiv” në një aksident ajror nën Jaroslavl. Humbja më e dhimbshme për përdoruesit e Internetit, ndërsa të tillë rezultuan 40% e të intervistuarve, u bë vdekja e Steve Jobs. Një humbje e madhe për të gjithë në Rusi u bë gjithashtu vdekja e aktores së famshme, të adhuruar për gjithë vendin, Ludmilla Gurçenko.

Maria Domnickaja