Dhoma e Ulët e parlamentit të Francës miratoi ligjin, i cili e barazon me një krim mohimin e faktit të gjenocidit turk të vitit 1915 kundër armenëve.

Kryeministri i Turqisë Rexhep Tajip Erdogn deklaroi se vendi ngrin të gjitha marrëdhëniet politike, ushtarake dhe biznes kontaktet me Francën. Po sot u largua në mënyrë demonstrative nga Parisi edhe ambasadori turk.

Ndërkohë, akti i gjenocidit turk të vitit 1915 kundër armenëve është njohur nga 20 vende të botës dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Rusinë dhe Parlamentin Evropian. Në kohën e Luftës së Parë Botërore Perandoria Osmane, pasardhëse e së cilës është Turqia bashkëkohore, ka luftuar në anën e Gjermanisë kundër Anglisë, Francës dhe Rusisë. Autoriteteve të Perandorisë u dështoi përpjekja për të tërhequr në anën e vet armenët: ata mbështetën Rusinë. Pas kësaj filloi shfarosja sistematike e popullsisë armene. Si rezultat u vranë rreth 1.5 milionë vetë - gjysma e popullit armen të asaj periudhe. Turqia e konsideron këtë shifër të hiperbolizuar dhe insiston në atë se humbje pësuan të dyja palët dhe se ato janë të lidhura me kryengritjen e armatosur të armenëve.

Franca e njohu gjenocidin që 10 vjet të shkuara. Tentativa e parë për ta përfshirë në legjislacion dënimin për mohimin e gjenocidit ndaj armenëve dështoi për shkak të qëndrimit negativ nga ana e Partisë “Bashkimi për lëvizjen popullore”, në të cilën hynte edhe Nicolas Sarkozy. Ndërkohë, sot pikërisht ajo dhe Presidenti i Francës iniciuan miratimin e këtij ligji. Ankaraja akuzoi Parisin se ai e detyron historinë ti shërbejë politikës në prag të zgjedhjeve presidenciale. Ky opinion bazohet në argumente të forta, me peshë, mendon Drejtori i Qendrës për Studime Franceze të Institutit rus të Evropës Juri Rubinski:

- Është plotësisht i qartë konteksti politik i vetë Francës. Në këtë vend ekziston diaspora më e madhe armene, e cila përbëhet nga 450-500 mijë veta, shumë nga të cilët zenë pozita me peshë në shoqëri, në qarqet e biznesit në Marsejë, Paris dhe Lion. Kjo është një letër e fortë me të cilën mund të luhet në fushatën zgjedhore në Francë. Për votat e këtij segmenti me shumë ndikim të elektoratit, sigurisht, që do të zhvillohet një luftë e ashpër.

0Më 5 janar projekt-ligji do të shqyrtohet nga Senati i Francës - Dhoma e Lartë e parlamentit. Pritet që Senati të votojë për dënimin me 1 vit heqje lirie (burg) dhe me një gjobë prej 45 mijë euro për mohimin e gjenocidit. Disa do ta quajnë këtë fitore paraprake të Nicolas Sarkozy. Disa të tjerë fakt të sensibilitetit, bashkëpërjetimit nga një prej vendeve më të mëdha të BE-së të vuajtjeve të popullit armen. Kurse persona të tretë e konsiderojnë atë përpjekje të radhës për të ushtruar presion mbi Turqinë, të cilën Franca nuk dëshiron ta shohë në radhët e BE-së. Ndërkohë, si rezultat i një hapi të tillë vetë Ankaraja mund të fillojë të mendohet seriozisht nëse i duhet vallë asaj në të vërtetë integrimi në Bashkimin Evropian apo jo.

Konstantin Garibov