Pjesa më e mirë e shoqërisë ruse kërkon respekt ndaj vetes. “Pavarësisht nga fakti se ata që dolën me protesta në rrugë ishin jo të shumtë në numër, pikëpamjet e tyre nuk mund të injorohen me mendjemadhësi. Dhe është plotësisht e drejtë që ato i pasoi reagimi dashamirës nga ana e pushtetit”, - një mendim të tillë shprehu Zëvendësi i parë i kreut të administratës presidenciale Vlladisllav Surkov në intervistën e vet dhënë gazetës “Izvestia” në lidhje me protestat që përfshinë vendin pas zgjedhjeve parlamentare të 4 dhjetorit.

Marrja parasysh e kërkesave të pjesës më aktive të shoqërisë, sipas mendimit të tij, është obligim dhe detyrë kushtetuese e shtetit.

Ndryshimet në vend po realizohen, tha Vlladisllav Surkov. “Këtë e dëshmuan qartë rezultatet e zgjedhjeve për Dumën Shtetërore, mitingu në Sheshin Bollotnaja të Moskës, debatet në Internet, komunikimi i drejtëpërdrejtë televiziv i 15 dhjetorit i Kryeministrit me qytetarët e vendit, Mesazhi i Presidentit Medvediev drejtuar Asamblesë Federale. Është e nevojshme vetëm të dokumentohen tani këto ndryshime në mënyrë ligjore - të miratohen ligjet për zgjedhjet e drejtpërdrejta të guvernatorëve dhe thjeshtëzimin e procedurës së regjistrimit të partive si dhe të pajisen teknikisht qendrat e votimit me web kamera e kështu me radhë”.

Marrjen e një pjesë të këtyre vendimeve do të përpiqen ta zvarrisin disa persona me ndikim, sugjeroi Vlladisllav Surkov, por kjo nuk do ta ndalojë dot megjithatë këtë proces. “Strukturat tektonike të shoqërisë u vunë në lëvizje, materia sociale ka fituar cilësi të re. Po, vërtetë, e ardhmja premton të jetë e trazuar. Por kësaj nuk duhet ti trembemi. Turbulenca, bile dhe ajo e fortë, nuk është katastrofë, por një nga format e stabilitetit”.

Bashkë me këtë Vlladisllav Surkov nuk përjashtoi se turma mund të paraqesë edhe kërkesa të paarsyeshme dhe të ndjekë qorrazi ngandonjëherë edhe    udhëzimet e provokatorëve. Por për provokatorët ekziston ligji, obligimi i shtetit për të mbrojtur themelet e rendit kushtetues, kujtoi Zëvendësi i parë i kreut të administratës presidenciale.

Përparësia morale, që zotëronte shteti deri këto kohët e fundit, duhet medoemos të rikthehet pjesërisht. Dhe planet e propozuara nga Presidenti Medvediev në këtë kuptim janë shumë të drejta. Institutet e ripërtërira politike, të hapura dhe të ndershme, të kuptueshme për njerëzit - për to ia vlen të luftohet, ato duhet ruhen e të mbrohen.

Gjëja më kryesore tani, konkludon Vlladisllav Surkov, është që të gjitha këto qëllime të gjejnë mishërim në jetë. “Sepse mund të ndodhë edhe kështu - që në mitingun e radhës të mblidhen më pak njerëz, të rreshtë disi zhurma e buja në Internet - dhe ndokush mund të mendojë se nuk duhet bërë më asgjë dhe ti shtyjë reformat deri në një kohë më të mirë, siç ka ndodhur kjo tashmë, ose ti zhveshë ato nga thelbi i vet, ti bëjë formale. Por le të shpresojmë për më të mirën - Dhëntë Zoti që protestat e rrugëve të qetësohen dhe që reformat të realizohen!”

Natalia Kovalenko