Shkarko audiofailin
500 miliardë euro - një kredi e tillë e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) për bankat evropiane, madje për 3 vjet si dhe nën 1%, është një dhuratë me të vërtetë shumë bujare në vigjilje të Krishtlindjeve. Dhe e gjithë kjo bëhet për hir të forcimit të stabilitetit në sektorin financiar të BE-së.

Ekspertët skeptikë e quajnë megjithatë këtë pompim të paparë të bankave me mjete financiare dëshmi të parregullsive, shtrembërimeve në tregun ndërbankar - sepse marrja e parave hua atje për institutet financiare është bërë tani pothuajse e pamundur.

Natyrisht, ekspertët kanë të drejtë t’i vlerësojnë kontributet kolosale të BQE si një akt të dëshpëruar për shuarjen e zjarrit. Ndërsa eksperti rus, Kreu i Shoqatës së bankave ruse Garegin Tosunian, përkundrazi, i miraton veprimet e kolegëve evropianë:

- Unë mendoj se kjo nuk është dëshmi e një situate të tmerrshme, por e urtësisë së BQE. Funksioni i çdo banke qendrore është të jetë huadhënëse e instancës së fundit, kur i lindin vështirësi ndonjë banke të veçantë apo sistemit në tërësi. Evropa, në përgjithësi, disponon programin për daljen e qetë bile dhe nga situata më e vështirë. Mbështetja e ekonomisë, prodhuesve, popullsisë është e mundur vetëm nëpërmjet mekanizmave të kreditimit. Është përpiluar tashmë grafiku i shlyerjes, duke përfshirë edhe atë në vitin 2012. Bankat qendrore të disa vendeve të BE-së do të duhet të nxjerrin konkluzione. Atyre, sipas mendimit tim, nuk do t’i lejojnë aq lehtë si më parë të shfrytëzojnë mekanizmin e rifinancimit. Ndërkohë që do të ushtrohet një kontroll mjaft i rreptë mbi përdorimin e mjeteve financiare.

Por frika se paratë mund të fluturojnë për qëllime krejtësisht të tjera nuk është fashitur krejtësisht. Në të vërtetë, duke filluar që nga viti 2009 po atyre bankave qeveria dhe BQE i dhanë më shumë se 440 miliardë euro për forcimin e sistemit kreditoro-financiar. Kurse mjetet financiare “avulluan”. Po ku? Mbi këtë temë përsiat Gustav Horn, Kreu i Institutit gjerman të Makroekonomisë dhe Studimeve të koniunkturës. Dëgjoni një fragment nga intervista e tij dhënë Deutschlandradio:

- Këto para pjesërisht u fshinë nga llogaria për shkak të zhvlerësimit të letrave me vlerë të blera nga bankat në atë periudhë. Ra edhe vlera e aksioneve në krahasim me normat (kursin) e 3 viteve të mëparshme. Të gjitha këto dhe gëlltitën kapitalet. Ato, si i thonë fjalës, u zhdukën në ajër, u dogjën.

Edhe një problem tjetër neuralgjik: çfarë do të ndodhë me inflacionin në vitin e ri? Pompimi në ekonomi i mjeteve të tilla kaq impresionuese financiare nuk do të kalojë pa lënë gjurmë. Por kjo do të ndodhë vetëm në qoftë se përdoren në mënyrë jo racionale ato, kurse bankat, sipas fjalëve të Gustav Horn, nuk do të shpërndajnë me thasë sa andej-këtej kartmonedhat.

Sergei Guk