Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) kënaqi pothuajse plotësisht padinë e të dëmtuarve dhe të afërmve të viktimave të sulmit terrorist në Qendrën Teatrale moskovite në Dubrovka.

Në vendimin e gjykatës është theksuar se viktimave të tragjedisë nuk iu dha ndihma adekuate mjekësore pas përdorimit nga Shërbimi Federal i Sigurimit (FSB) të Federatës Ruse të gazit të panjohur. Si rezultat i përdorimit të tij gjetën vdekjen jo vetëm terroristët, por dhe shumica e njerëzve të marrë peng nga ata. Strasburgu e obligoi Rusinë ti paguajë viktimave një kompensim me shumë totale prej 1.254.000 euro.

Tragjedia në Qendrën Teatrale moskovite në Dubrovka ndodhi në vjeshtë të vitit 2002. Në godinën, ku po jepej Musical me mjaft popullaritet “Nord-Ost”, u dynd me forcë një grup prej 40 banditësh të armatosur, të cilët morrën peng 912 veta,  midis të cilëve gra dhe fëmijë. Pas tre ditësh forcat e sigurisë sulmuan Qendrën teatrale Dubrovka. Shumica e terroristëve u likuidua fizikisht. Si rezultat i tij gjetën vdekjen 130 pengje.

Avokati i viktimave Igor Trunov thekson, se vendimi i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (ECHR) jep të drejtën për rishikimin e çështjeve penale dhe civile që janë të lidhura me sulmin terrorist në Qendrën Teatrale moskovite në Dubrovka. Rusia u gjobit për mosplotësimin e kërkesave të Konventës - pra, për të çuar deri në fund në nivel kombëtar proceset gjyqësore për kompensimin e dëmit të shkaktuar viktimave.

Viktimat kërkuan gjithashtu të pranohet publikisht se ushtarakët nuk kishin të drejtë të jepnin urdhërin për marrjen e godinës me sulm. Por ECHR arsyetoi se fjalë bëhet vetëm për realizimin e pasuksesshëm të operacionit special.

Kurse shumica e specialistëve, si rusë ashtu dhe të huaj, mendojnë ndryshe. Menjëherë pas intervencionit ushtarak çlirimi i Qendrës teatrale në Dubrovka u konsiderua si i suksesshëm, kurse dyshimet mbi domosdoshmërinë e operacionit ushtarak u lindën shumë më vonë mbrojtësve të të drejtave të njeriut. Presidenti i Shoqatës së Veteranëve të grupit anti-terror “Alfa” Sergei Gonçarov deri tani është mëse i bindur se sulmi i ndërmarrë mbi Qendrën Teatrale ishte e vetmja mënyrë për të liruar pengjet dhe për të minimizuar numrin e viktimave:

- Për mendimin tim shërbimet speciale vepruan drejtë. Shumë analistë pranojnë se operacioni, në situatën e krijuar, u realizua me sukses. Ajo që ndodhi pas zhvillimit të këtij operacioni është tashmë problem i atyre njerëzve, të cilët ishin përgjegjës për mjekësinë. Ndërsa vendimi, se shteti duhet, si i thonë fjalës, t’i kompensojë këtyre njerëzve me mbështetje e mjete financiare dëmin moral, mendoj se është plotësisht i drejtë.

0Por sido që të jetë puna, i deleguari i Rusisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut e përshëndeti vendimin e ECHR. Zëvendësministri rus i Drejtësisë Georgi Matiushkin vuri në dukje se në tre muajt e ardhshëm - sipas parashikimit të Konventës evropiane - dokumentet do të shqyrtohen dhe do të merret vendimi - të apelohet apo jo aktgjykimi i Gjykatës.

Maria Vesnovskaja