Shkarko audiofailin
Numri i “spekullimeve të zymta” përkatësisht shpërbërjes së Bashkimit Monetar Evropian është rritur si shumë, mendon Kreu i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi. Ai i përmbahet mendimit se nuk është aspak punë me mend kultivimi i prirjeve, humorit funeral. “Unë - siguroi Draghi deputetët e Parlamentit Evropian - nuk kam pikë dyshimi në aftësinë e euros për t’i bërë bërë ballë dhe për të mbijetuar krizën e tanishme. Euro do të mbetet përgjithmonë”.

Ndërkohë, SHBA po skicojnë skemat e seksionimit të pronës evropiane në rast falimentimi, kolapsi të BE-së. Në veçanti, amerikanët i preokupon fort çështja e shpërndarjes së aseteve dhe borxheve të akumuluara.

Rekomandime falas për politikanët e BE-së filloi të japë Instituti Amerikan për Ekonomitë Ndërkombëtare Peter G. Peterson. Atje janë mëse të bindur se falimentimi i monedhës unike dhe hapësirës së Bashkimit Evropian është i pashmangshëm. Dhe gjatë kësaj i rekomandojnë me këmbëngulje udhëheqësve evropianë t’ua mbathin këmbëve “sa më shpejt dhe njëkohësisht” nga anija që po mbytet. Megjithëse vetë euro duhet të përdoret për njëfarë kohe për të shmangur kaosin në llogaritë e ndërsjellta. Pastaj, natyrisht, çdo vendi do ti duhet të ringjallë monedhën e vet të vjetër kombëtare. Problemin më të madh amerikanët e vërejnë në çështjen e “ndarjes së pasurisë”. Mos vallë pikërisht kjo dhe do të bëhej dhimbja më e madhe e kokës në rastin e pabesueshëm - atë të shpërbërjes, kolapsit të BE-së dhe zonës së euros? Kësaj pyetje i përgjigjet eksperti Pavell Medvediev, anëtari i Këshillit Kombëtar Bankar të Rusisë:

- Unë mendoj se ndarja e pasurisë do të ishte një katastrofë e vërtetë. Unë kam qenë dëshmitar okular i ndarjes së pasurisë në Bashkimin Sovjetik. Lind një numër jashtëzakonisht i madh problemesh kur një monedhë zëvendësohet me një tjetër. Le të imagjinojmë për një moment se të gjitha vendet e zonës së euros rikthehen përsëri tek përdorimi i monedhave të veta të vjetra kombëtare. Greqia me çfarë monedhe do të duhet të paguajë atëhere borxhet e saj? Ky është një problem irracional. Dhe me të do të përballet në mënyrë të pashmangshme çdo vend. Çdo shtet i detyrohet me diçka një shteti tjetër. Aktualisht borxhet nominohen në euro - po si të kthehen, si të llogariten ato me monedha kombëtare? Do të ketë një  humnerë spekullimesh. Unë mendoj se në shumë gjëra pikërisht kjo dhe frenon kolapsin. Por gjëja më kryesore është megjithatë humbja e gjithçkaje pozitive që sollën fillimisht krijimi i BE-së, ndërsa më pas monedha unike. Nuk besoj që evropianët t’i lejojnë vetes të mendojnë seriozisht për falimentimin.

Nënpresidenti i Bankës Qendrore Evropiane Vitor Conctancio, i cili paraqiti të hënën raportin mbi situatën në Bashkimin Monetar Evropian, iu përgjigj të gjithë dyshuesve me fjalët: “Sipas treguesve të tregut unë nuk vërej kurrfarë shenjash të shpërbërjes së zonës së euros”.  Mendimin e tij e mbështesin edhe analistë të tjerë të autoritetshëm në BE dhe përtej kufijve të tij. Ndoshta, një gur i tillë i hedhur nga ana e përtej oqeanit, dëshmon, shpreh dëshirën e fshehtë të disave në SHBA për të hequr qafe konkurrentin. Sepse atëhere dollari do të bëhej sërish monedha e vetme botërore rezervë.

Sergei Guk