Shkarko audiofailin
A do të hidhet ekonomia globale mbrapsht, në epokën e “Depresionit të Madh”? A i kërcënohen vallë botës protekcionizmi dhe izolimi, të cilët çuan në kohën e vet në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore? Këto pyetje retorike tingëlluan javën e kaluar nga goja e Kreut të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Christine Lagarde si një paralajmërim.

Si “shumë të zymta” i përfytyrohen Christine Lagarde perspektivat e ekonomisë globale. Recesioni është dyndur tashmë në shtëpitë më të respektuara të Evropës. Sipas vlerësimeve të Shërbimit Statistikor të Francës, për shembull, ekonomia e saj në tremujorin e katërt të vitit do të bjerë me 0.2%. Ndërkohë që rënia parashikohet të vazhdojë edhe në vitin 2012.

Kreu i FMN u bën thirrje qeverive për unitet me qëllim të përballimit të rrezikut të ri kërcënues, i cili mund të kapërcehet vetëm me përpjekje të përbashkëta. Asnjë rajon, asnjë shtet nuk do të mund t’ia dalë dot punës mbanë i vetëm me këtë fatkeqësi, paralajmëron ajo.

Shenjat e stuhisë në ekonominë globale po vijnë, me të vërtetë, duke u grumbulluar gradualisht si re të zeza. Por Christine Lagarde ndoshta i dha me qëllim disa nota katastrofizmi fjalimit të vet, mendon eksperti Boris Rubcov, Shefi i Katedrës së Letrave me Vlerë të Akademisë së Financave të Rusisë:

- Pjesërisht deklarata të tilla pesimiste janë të mundshme. Dhe shpjegohen ato fare thjeshtë: gjithmonë është më kollaj të thuhet se do të përballemi me gjëra të keqija se sa me të mira. Në qoftë se ngjarjet do të zhvillohen sipas skenarit negativ, atëhere mund të deklarohet: ne e parashikuan drejtë, shumë saktë rrjedhën e ngjarjeve. Nga ana tjetër, mua më duket se Kreu i FMN-së duhet, në të kundërtën, ti shërbejë qetësimit të publikut dhe të tregohet më e përmbajtur në vlerësimet e veta, meqenëse unë, me thënë të drejtën, nuk vërej kurrfarë arsyesh për tu shprehur mbi mundësinë e rikthimit të periudhës së “Depresionit të Madh”. Për më tepër se kjo bie në kundërshtim të plotë me vetë parashikimet e FMN, i cili duke qenë një institucion shumë i fuqishëm shkencor, bën parashikime në bazë të hulumtimeve serioze ekonomike. Ndërsa këto parashikime nuk flasin aspak për atë se në vitet e ardhshme parashikohet invadimi i “Depresionit të Madh”. Dhe nëse dhe ka vërtetë ndonjë argument që i shpjegon këto deklarata, ka shumë mundësi, që kjo të jetë dëshira për të rritur burimet e FMN bazuar në kontributet e vendeve anëtare të tij.

Përsa i përket rrezikut kërcënues të proteksionizmit Christine Lagarde nuk është krejtësisht e gabuar. Me fillimin e krizës së viteve 2007-2008 vende të veçanta nisën “të ngrenë gardhe” për tu distancuar nga të tjerët me anë të kufizimeve tregtare. Sipas informacionit të Kreut të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) Pascal Lamy, dëmi i ndërsjelltë nga barrierat tregtare për periudhën e kaluar përbëri 800 miliardë $. Në sesionin e OBT-së që u zhvillua në Gjenevë, BE-ja dhe SHBA propozuan eliminimin e të gjitha pengesave ekzistuese në rrugën e qarkullimit tregtar global. Por u ndeshën gjatë kësaj me refuzimin e mirësjellshëm, por të vendosur të Brazilit, Kinës dhe Indisë.

Sergei Guk