Udhëheqësi i Republikës Popullore Demokratike të Koresë (RPDK) ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare. Ai vdiq nga një atak në zemër të shtunën, më 17 dhjetor, gjatë kohës së udhëtimit të inspektimit nëpër vend. Ndërsa njoftimi zyrtar në lidhje me këtë fakt u bë publik vetëm të hënën në mëngjes.

Kim Jong II e ka drejtuar vendin që nga viti 1994, duke trashëguar pushtetin pas vdekjes së babait të tij - themeluesit të Republikës Popullore Demokratike të Koresë (RPDK) Kim II Sung. Sipas biografisë së tij zyrtare Kim Jong II ka lindur më 16 shkurt të vitit 1942 në një kasolle të vendosur në malin Pekstusan në Kore. Sipas disa të dhënave të tjera Kim Jong II ka lindur në shkurt të vitin 1941 në krahinën Khabarovsk të Bashkimit Sovjetik (BRSS), ku në atë kohë ka shërbyer babai i tij. Si Udhëheqës i Koresë së Veriut Kim Jong II e ka vizituar tri herë Rusinë, herën e fundit në verë të vitit 2011. Njerëzit, të cilët e patën njohur personalisht atë, kanë vënë në dukje se Udhëheqësi i Koresë së Veriut “ka rënë shumë” kohët e fundit.

Trashëgimtari politik i Kim Jong II u bë djali i tij më i vogël - Kim Jong Eun. Ai është rreth 27-28 vjeç, arsimin e mesëm e ka marrë në Zvicër, zotëron mjaft mirë anglishten dhe gjermanishten. Ai u emërua zyrtarisht si pasardhës i babait të vet pak më shumë se një vit më parë. Po të njëjtën rrugë pat përshkuar në kohën e vet edhe Kim Jong II. Por ai pati më shumë se 20 vjet kohë, pas emërimit si pasardhës i atit të vet, në mënyrë që të fitojë peshën dhe autoritetin e duhur. Kim Jong Eun nuk ka në dispozicion një kohë të tillë dhe ai nuk do ta ketë aspak të lehtë, mendon eksperti i Institutit rus të Studimeve Orientale Aleksandër Voroncov:

- Sigurisht, Kim Jong Eun është shumë i ri dhe ka vetëm një vit në postin zyrtar të pasardhësit. Do të ishte e dëshirueshme që fati ti jepte atij më shumë kohë për të fituar përvojën e duhur. E megjithatë ai nuk është i vetëm, ekziston organi kolektiv për drejtimin e vendit. Dhe unë mendoj se situata do të mbetet nën kontroll.

Ndërkohë ndryshimi i udhëheqësit të Koresë së Veriut shkaktoi rritjen e tensionit në rajon. Qeveria e Japonisë u mblodh në një takim urgjent. Mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit Kombëtar e thirri edhe Presidenti i Republikës së Koresë Lee Myung Bak. Në të njëjtën kohë ai dha urdhër për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe i telefonoi Presidentit amerikan Barack Obama për të konfirmuar angazhimet e aleancës mes dy vendeve në sferën e sigurisë.

Nuk ka gjasa që Koreja e Veriut të ndërmarrë ndofarë hapash agresivë. Rreziku, ka më shumë mundësi, të vijë nga një drejtim tjetër, meqenëse nuk përjashtohet mundësia e shfrytëzimit të situatës së krijuar me ndërrimin e liderit të Koresë së Veriut nga Koreja e Jugut dhe SHBA, thotë Drejtori i Programeve Koreane të Institutit rus të Ekonomisë Georgi Tolorai:

- Unë i druhem shumë krijimit të një situate të tillë, kur Koreja e Jugut do të arsyetojë se erdhi koha për të ushtruar presion mbi Korenë e Veriut dhe për të ndërmarrë përpjekjet për minimin e regjimit të saj. Shpresoj shumë se Koreja e Jugut do të përmbahet nga hapa të tillë. Përndryshe e gjithë kjo mund të përfundojë shumë keq.

0Në Moskë shpresojnë se humbja, që pësoi populli i Koresë së Veriut, nuk do të ndikojë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis Rusisë dhe Republikës Popullore Demokratike të Koresë (RPDK), theksoi Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov.

Natalia Kovalenko