Rusia dhe Bashkimi Evropian arritën të rregullojnë konfliktin që lindi rreth autokolonës së Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme (MSJ) ruse me ndihma humanitare për serbët që jetojnë në Kosovë, e cila gati për tri ditë u bllokua në kufirin administrativ të Kosovës dhe Serbisë.

Policët e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) refuzonin të lejonin kalimin e kamionëve të autokolonës, duke u përpjekur të imponojnë kushtet e veta. Konflikti në fjalë gjeti zgjidhje pas diskutimit të kësaj teme në samitin Rusi-BE në Bruksel me pjesëmarrjen personale të Presidentit rus Dimitri Medvediev.

Të gjithë 25 kamionët e Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme të Rusisë me ndihma humanitare për serbët e Kosovës kaluan kontrollin doganor. Pas një pritje disa ditëshe në pikën kufitare “Jarinje” të gjitha formalitetet e nevojshme morën rreth 3 orë. Verifikimin e dokumenteve dhe inspektimin e kamionëve përfaqësuesit e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) e filluan natën vonë, ndërsa në mëngjes autokolona ruse u nis në drejtim të qytetit të Mitrovicës, njoftoi me telefon Valeri Shuikov, Zëvendës Shefi i korparmatës kombëtare ruse të reagimit emergjent humanitar të MSJ të Rusisë:

- Në përputhje me marrëveshjet e arritura autokolona u nis për rrugë sot në orën 7 të mëngjesit. Pas mbërritjes së shoqërimit, për të cilin këmbëngulën evropianët, formalitetet me dokumentet, regjistrimi dhe inspektimi i makinave u bënë shumë shpejt. Përfaqësuesit e EULEX-it tani po e bëjnë rrugën së bashku me ne, por ky shoqërim është krejtësisht i pakuptimtë. Sepse, në fund të fundit, ne do të jemi të detyruar të përkujdesemi për sigurinë e tyre duke marrë mbi vete garantimin e sigurisë për ta në territorin e banimit kompakt të serbëve në Kosovë.

Skandali shpërtheu në fillim të javës. Policët e EULEX-it refuzuan lejimin e kalimit përmes kufirit të autokolonës me kamionët rusë me ndihma humanitare për serbët e Kosovës. Përfaqësuesit e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë u përpoqën t’u impononin shoqërimin e vet bashkëpunëtorëve të Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme të Rusisë. Por, sipas njoftimeve të diplomatëve, në këtë shoqërim ishin përfshirë kufitarët shqiptarë të së ashtuquajturës Republikë e Kosovës, doganierë dhe gazetarë. Pala serbe ishte mëse e bindur se po përgatitej një provokim. Sipas tyre, autoritetet e Prishtinës, nën pretekstin e shoqërimit të autokolonës ruse me mallra humanitare, duan të depërtojnë në veri të Kosovës, ku jetojnë në mënyrë kompakte serbët, dhe të marrin nën kontroll një nga pikat kufitare kyçe në kufirin administrativ me Serbinë. Si rezultat, çështja u bë objekt diskutimi në nivelin më të lartë - me pjesëmarrjen e Presidentit të Rusisë Dimitri Medvediev - në samitin Rusi-Bashkimi Evropian në Bruksel. Palët ranë dakort që BE-ja të heqë kufizimin veprues për kalimin e autokolonës, kurse pala ruse të pranojë shoqërimin e saj nga tre xhipa me policë të EULEX-it. Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhanë garanci se në makinat e përcjelljes nuk do të ketë shqiptarë kosovarë. Tani ngarkesa humanitare do të dërgohet, më në fund, në depot “Kryqit të Kuq” serb.

Roman Mamonov