Bisedimet për pranimin e Rusisë në OBT përfunduan 18 vjet pas paraqitjes së aplikimit nga ana e Moskës. Në prag të nënshkrimit të dokumenteve historike ndërqeveritare në Gjenevë Maksim Medvedkov, i cili kryesoi delegacionin rus të negociatorëve, në një intervistë ekskluzive për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” tregoi mbi ecurinë e procesit të bashkimit të Rusisë me Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).

Të gjitha vendet që hyjnë në OBT përshtasin legjislacionin kombëtar në përputhje me standartet ndërkombëtare. Kjo është një “detyrë shtëpie” e detyrueshme, thotë Maksim Medvedkov:

- Ne e kemi plotësuar atë, në fakt, që në periudhën e viteve 2004-2005. Në të përfshihen Kodi doganor, ligji mbi rregulloren teknike, Ligji mbi rregullimin shtetëror të veprimtarisë së tregtisë së jashtme si dhe më shumë se 300 akte ligjore. Domethënë, ne jetojmë në sistemi ligjor të OBT tashmë që prej 8 vjetësh. Pjesa e dytë e këtij detyrimi ka të bëjë me nivelin e taksave të importit. Tarifa jonë mesatare e importit, e cila aktualisht rezulton 10,5-11%, është ulur gati dyfish.

Për shembull, tarifa për automobilat do të ulet dy herë brenda 7 vjetëve pas bashkimit të Rusisë me OBT. Rusia është përgatitur për këtë. Deri atëhere ndërmarrjet ruse do të dalin në nivelin e kapacitetit të projektuar dhe do të jetë plotësisht të afta për konkurrencë. Megjithatë, për disa sektorë të ekonomisë ruse anëtarësimi në OBT nuk do të ketë kurrfarë pasojash në përgjithësi - tarifat nuk do të ndryshojnë.

Kompleksi agro-industrial i Rusisë, pavarësisht nga dyshimet e skeptikëve, do të përfitojë nga pranimi në OBT, shprehet me bindje të plotë Maksim Medvedkov.

- Së pari, ne do të mund të rrisim vëllimin e mbështetjes së bujqësisë vitin e ardhshëm nga 5,5-9 miliardë $, gjë kjo që do të lejojë përfundimin e programeve të miratuara të modernizimit. Ne do të kemi një ekonomi me aftësi konkurruese. Pika e dytë - tarifat e importit. Nuk ka asnjë reduktim të ndjeshëm të tarifave për produktet ushqimore. Kurse në lidhje me disa artikuj të mëdhenj, të tillë si gruri, ne do të rreptësojmë kushtet e aksesit në tregun tonë. Plus për bujqësinë e vendit tonë është qasja në tregjet e huaja.

Rusia, më në fund, arriti të rikthehet në tregun global të drithërave dhe për herë të parë në dekada të tëra zuri në të pozicion mjaft serioz. Nuk është larg edhe fillimi i eksportimit të produkteve të tjera bujqësore.

0OBT nuk është ilaç gjithshërues (panacea). Dhe hyrja në të nuk do të sjellë ndonjë bum investimesh në vend. Por projektet ekonomike ruse janë mjaft atraktive dhe në të ardhmen vendi mund të shpresojë në rritjen e investimeve.

Olga Denisova, Mihaill Aristov