Diskutimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së i çështjes mbi ballafaqimin e armatosur të autoriteteve siriane dhe opozitës mund të lëvizë më në fund nga pika e vdekur. Dhe, duhet thënë, në saje të Rusisë.

Moska ofroi versionin e projekt-rezolutës së vet. Në të theksi vihet mbi domosdoshmërinë e ndalimit të gjakderdhjes. Vendet e Perëndimit pranuan se projekti i ri mund të bëhet bazë për deklaratën kompromise të Këshillit të Sigurimit.

Konflikti i armatosur mes autoriteteve të Sirisë dhe opozitës së shumtë në numër po vazhdon për gati një vit. Sipas njoftimeve të organizatave humanitare, gjatë kësaj periudhe u vranë rreth 5000 veta. Gjithë këtë kohë brenda mureve të OKB-së janë zhvilluar e vazhdojnë të zhvillohen debate të ashpra rreth asaj se në ç’mënyrë të reagohet ndaj ngjarjeve në Siri. Vendet perëndimore propozojnë vendosjen e sanksioneve të fuqishme, serioze ndërkombëtare kundër regjimit të Bashar al-Assad dhe variantin e zgjidhjes së problemit me përdorimin e forcës ushtarake, sipas shembullit të skenarit libian. BE dhe SHBA tashmë vendosën sanksione të njëanshme ndaj Damaskut. Kurse Rusia bën thirrje për arritjen e paqes me metoda diplomatike dhe politike. Dhe çdo herë këto pikëpamje të kundërta përplaseshin në Këshillin e Sigurimit të OKB-s, ku evropianët dhe amerikanët paraqisnin propozimet e tyre, kurse Rusia dhe Kina vendosnin veto mbi to. Dhe ja tani Moska ka dalë vetë me iniciativën e një dokumenti kompromisi. Në të dënohen si veprimet e autoriteteve, ashtu dhe të opozitarëve të Sirisë. Dokumenti u bën thirrje të dyja palëve kundërshtare që të heqin dorë nga dhuna. Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton tashmë deklaroi se është e gatshme për të diskutuar projekt-rezolutën ruse.

Eksperti rus për çështjet e sigurisë ndërkombëtare Vladimir Sotnikov është i bindur se hapi i Rusisë shpjegohet me synimin për të parandaluar zhvillimin e situatës në Siri sipas skenarit libian:

- Tani rreth Sirisë është krijuar një situatë e tillë, e cila mund të çojë me të vërtetë në një version të dytë të skenarit të aplikuar në Libi. Mund të flitet bile dhe për çuarjen e situatës deri në një pikë të tillë, kur autoriteteve nuk do ti mbetet rrugëdalje tjetër veçse të përfshihen në konfrontim të armatosur me koalicionin e shteteve perëndimore. Moska është plotësisht e vetëdijshme për këtë dhe prandaj po përpiqet për të parandaluar zhvillimet negative. Duke vënë vath në vesh atë që ndodhi kur Rusia ra dakort të mbështesë rezolutën perëndimore për zgjidhjen e konfliktit të Libisë, autoritetet ruse po demonstrojnë aktualisht një pozitë të pavarur dhe të peshuar mirë.

Në projekt-rezolutën e Rusisë nuk thuhet asnjë fjalë për sanksionet. Përfaqësuesi i Rusisë në OKB Vitali Çurkin konfirmoi sërish qëndrimin e shprehur në mënyrë të përsëritur të Moskës se sanksionet janë masë kundërproduktive.

Roman Mamonov