Vladimir Putin nuk do të mbetet as edhe një ditë më gjatë në kabinetin e vet, nëse nuk do të ndjejë mbështetjen e popullit. Ndërsa kjo mbështetje do të përcaktohet jo nga pikëpamjet, mendimet e shprehura në Internet apo në sheshe e rrugë, por në bazë të rezultateve të votimit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, deklaroi Kryeministri duke iu përgjigjur sot në eter të drejtpërdrejtë televiziv pyetjeve të qytetarëve të vendit.

Kjo bisedë zgjati më shumë se katër orë e gjysmë. Kryeministri iu përgjigj 88 pyetjeve, të cilat kishin të bënin me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, garën e ardhshme presidenciale, planet politike, ndryshimet e mundshme të kuadrove e shumë probleme të tjera.

Vemendjen e analistëve politikë e tërhoqën në mënyrë të veçantë disa tema. Së pari, reagimi i Putinit ndaj pyetjeve të shumta dhe mjaft të mprehta mbi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 4 dhjetorit dhe mitingjet që i pasuan ato. Së dyti, propozimet e Kryeministrit për përsosjen e sistemit politik në vend: Putin e konsideron të mundshme vendosjen e zgjedhjeve të drejtpërdrejta të guvernatorëve - nga radhët e kandidatëve të emëruar prej partive të ndryshme dhe të bashkërenditur me presidentin. Dhe, sigurisht, vlerësimi i pozitës ndërkombëtare të Rusisë nga ana e tij.

Mendimet e ekspertëve, mund të themi, u polarizuan - nga mbështetja e plotë e deri tek kritika e ashpër. Për shembull, me komentet e Kryeministrit në lidhje me mitingjet e opozitës u pajtua plotësisht analisti politik Mihaill Remizov:

- Putini nuk e fsheh se mban një qëndrim negativ ndaj lëvizjes aktuale të protesës në rrugë. Dhe bën shumë mirë që i përgjigjet me ndershmëri kësaj pyetjeje. Me qëllim që të ketë më pak protesta në rrugë, duhet tu jepen më shumë mundësi njerëzve për pjesëmarrje në politikën e madhe publike. Për këtë arsye u propozua zgjedhja e guvernatorëve me anë të ndërmjetësimit të partive politike. Po me këtë janë të lidhura edhe idetë për dhënien e mundësive suplementare partive opozitare.

Reagime pozitive nga kampi i opozitës, natyrisht, nuk priste askush. Kritika që tingëlloi nga goja e Liderit të Partisë “Jablloko” (“Yabloko”) në adresë të Kryeministrit rus kishte bile dhe nota keqardhjeje. Vladimir Putin nuk arrin të kapë, të perceptojë dot ndryshimin e prirjeve në shoqërinë ruse, deklaroi Sergei Mitrohin (Sergei Mitrokhin):

- Ai vazhdon të sillet sikur të ishte akoma në kohën e zgjedhjeve të vitit 2007 apo të vitit 2004, kur gëzonte një mbështetje të fuqishme masive. Aktualisht ai nuk e ka më këtë mbështetje. Ato propozime për ndryshime politike, që bëri ai në përgjigje të mitingjeve të protestës, kanë më tepër karakter kozmetik.

Në mënyrë shumë më emocionale e komentoi komunikimin e drejtpërdrejtë televiziv të Kryeministrit Vladimir Putin me qytetarët e vendit, në intervistën e vet për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë”, Bashkëkryetari i “Partia e Lirisë Popullore” të paregjistruar Vladimir Rrizhkov:

- Përshtypja që më la talk-show i sotëm i zotit Putin është shumë e rëndë. Sipas fjalëve të tij, në tërësi punët shkojnë mbarë e mirë në vend dhe se nuk duhet të ndryshojë asgjë. Dhe e gjithë kjo shprehet nga ai në një kohë kur po gumëzhin i gjithë vendi. Njerëzit kërkojnë që të bëhet më demokratik sistemi politik. Njerëzit kërkojnë një luftë më të vendosur kundër korrupsionit. Putini nuk foli fare për këtë, megjithëse aktualisht korrupsioni është plaga më e madhe e vendit.

Në kontrast me këtë pikëpamje shumë arritën për vete në këtë konkluzion: Kryeministri e di mirë se çfarë bën. Vladimir Putin është profesionist i klasit të lartë, mendon një nga figurat e shquara publike Natalia Naroçnickaja:

0- Ai nuk i trembet dhe nuk i bën bisht asnjë pyetjeje, bile dhe as atyre më të ashpra e më të mprehta - ndërsa gjatë komunikimit të tij me qytetarët e vendit të tilla pati jo pak. Ai i njeh për mrekulli të gjitha problemet e ekonomisë, mban mend të gjitha shifrat. Dhe, sigurisht, atij nuk i mungon burrëria. Situata, siç dihet, komplikohet veçanërisht nga Interneti. Ndërsa ai nuk u tremb, iu përgjigj qetësisht të gjitha pyetjeve, ndër të tjera edhe atyre që kishin të bënin me çështje  të komplikuara ndërkombëtare.

Igor Sileckij