Shkarko audiofailin
Evropa Perëndimore u spërkat sërish me gjak. Në qytetin belg Liezh (Liege) 33-vjeçari Nordin Amrani fillimisht hodhi disa granata mbi një përqëndrim të madh bashkëqytetarësh në qendër të tij, kurse më pas hapi zjarr mbi njerëzit me automatik.

Afërsisht në të njëjtën kohë në Evropën Jugore, në Firence, një italian 50-vjeçar qëlloi për vdekje me pistoletë 2 emigrantë nga Senegali, ndërsa 2 orë më vonë në një shesh tjetër urban ai plagosi edhe 2 zezakë të tjerë. Edhe “pushkatari” i Liege, edhe ai fiorentin pas krimeve të kryera u gjetën të vdekur.

Të dy krimet, sipas mendimit të analistëve, mund të krahasohen me masakrën e verës së kaluar të Anders Breivik në Norvegji. Me çfarë po përballet aktualisht Evropa vallë - me një tendencë apo me përkeqësim të pazakontë të shëndetit psikik? Këtë u përpoq ta sqarojë me ndihmën e psikologëve komentatori i “Zërit të Rusisë” Nikita Sorokin.

Sipas mendimit të kandidatit të shkencave psikologjike Sergei Enikollopov, të gjitha këto incidente të përgjakshme kanë një emërues të përbashkët:

- Unë jam i prirur ti përmbahem mendimit se ato janë të ndërlidhura, meqenëse psikologët e dinë fort mirë se njoftimet e mediave mbi terroristët kontribuojnë, nga njëra anë, për krijimin e atmosferës mbizotëruese të frikës dhe terrorit, kurse, nga ana tjetër, për rritjen e nivelit të përgjithshëm të agresivitetit. Një nga pasojat e akteve terroriste është i ashtuquajturi identifikim me armikun. Njerëzit, duke kryer veprime të dhunshme dhe agresive, fillojnë të provojnë ndjesinë e rritjes së vetëvlerësimit në sytë e tyre, gjë kjo që i ndihmon ata të kapërcejnë frikat dhe pasiguritë e ndryshme të jetës së përditshme. Edhe një shkas tjetër fshihet në atmosferën e përgjithshme të pasigurisë. Në vështrim të parë lind krejtësisht natyrshëm pyetja: Po ç’ka të bëjë këtu kriza financiare? Njoftimet e ndryshme mbi problemet e gjithmundshme financiare, që po lindin në vendet e Evropës, gjithashtu i shtyjnë njerëzit për veprime të tilla të dhunshme, që cilësohen si formë e kapërcimit të frikës. Po ashtu si dhe në vetëvrasje.

Përveç kësaj, vazhdon shkencëtari, në të gjitha vendet ekziston problemi i funksionimit jo efikas të shërbimeve të shëndetit mendor. Por jo të gjithë specialistët janë të prirur që ti “paketojnë” terroristët, racistët dhe psikopatët në një kuti. Psikologu moskovit Viktor Guldan i përmbahet një mendimi krejtësisht tjetër:

- Unë mendoj se fjalë nuk bëhet për një tendencë të përgjithshme, por për raste individuale. Mua më duket se do të ishte një punë më produktive që të shqyrtohej çdo krim i marrë në veçanti, të studioheshin në mënyrë të imtësishme mekanizmat e tij, motivimi, gjendja psikike e njerëzve që i kryejnë ato.

Por shumica e ekspertëve besojnë megjithatë se, për fat të keq, numri i krimeve të pamotivuara, siç i quajnë ato tani, të dhunshme do të vijë duke u rritur, deri sa në Evropë të mos përmirësohet klima e përgjithshme ekonomike. Dhe kjo pritje me afat të papërcaktuar nuk ngjall kurrfarë optimizmi.

Nikita Sorokin