Plot pas një javë - më 21 dhjetor Duma e re Shtetërore e legjislaturës së VI e Rusisë do të mbajë mbledhjen e vet të parë. Dekreti përkatës u nënshkrua nga Presidenti Dimitri Medvediev. Për këtë ai njoftoi më 13 dhjetor në takimin e zhvilluar me krerët e partive politike që hynë në përbërjen e parlamentit të ri.

Dimitri Medvediev shprehu besimin se komisionet zgjedhore dhe gjykatat do të shqyrtojnë me kujdes e skrupolozitet të madh të gjitha ankesat dhe pretendimet për shkelje në zgjedhjet parlamentare dhe se do të marrin vendime të drejta pas kësaj. Por më kryesorja, vuri në dukje Presidenti rus, është fakti se shkalla e ndikimit të opozitës në vendim-marrje është rritur në mënyrë të ndjeshme. Oponentët e qeverisë do të kryesojnë gati gjysmën e të gjitha komiteteve të Dumës Shtetërore - 14 nga 29 që janë gjithsej. Situatën e komenton analisti politik rus Mihail Remizov:

- Presidenti propozon, tashmë në kuadër të Dumës së re Shtetërore, ndërmarrjen e hapave për ti dalë përpara si opozitës, ashtu dhe atyre që nuk janë përfaqësuar në parlament. Në veçanti, ky mund të jetë modeli i ndarjes së komiteteve. Gjatë zbatimit të tij në jetë partitë opozitare do të sigurojnë një rol më të qenësishëm në parlament dhe një numër më të madh postesh në komitetet e Dumës Shtetërore.

Ekspertët janë mëse të bindur se duke folur për vazhdimin e reformave, Presidenti i Federatës Ruse faktikisht u dha përgjigje të gjithë atyre që dolën me protesta në rrugë. Medvediev pranoi se “ne kemi nevojë të ndërmarrim hapa më të vendosur me qëllim të eliminimit të kufizimeve të akumuluara në veprimtarinë politike”. Ja mendimi në lidhje me këtë i Kreut të Qendrës së Koniunkturës Politike Sergei Miheiev:

- Unë mendoj se Dimitri Medvediev shprehet, ndoshta në radhë të parë, mbi reduktimin e kufizimeve për regjistrimin e partive politike. Gjë kjo që do të lejojë të paraqitet më gjerësisht spektri i prirjeve e tendencave që kanë vend në gjirin e shoqërisë. Për më tepër se në zgjedhjet e ardhshme për Dumën Shtetërore barriera për kalimin në parlament do të jetë jo 7%, por 5%.

Iniciativat e Presidentit të Rusisë për forcimin e rolit të opozitës në Dumën Shtetërore dhe reformat e reja sugjerojnë se gjatë viteve të fundit autoritetet arritën të formojnë një sistem të qëndrueshëm politik, shprehen me bindje ekspertët. Dhe tani është plotësisht i mundur liberalizimi, vë në dukje Zëvendës-presidenti i Qendrës së Modelimit të Zhvillimit Strategjik Grigori Trofimçuk:

- Sistemi parlamentar në Rusi është forcuar në mënyrë të mjaftueshme që pikërisht në Dumën Shtetërore të legjislacionit të ri të ndërmerret një hap i tillë. Ai nuk u planifikua artificialisht - kjo ndodhi krejtësisht natyrshëm nëpërmjet rrugës së miratimit dhe zbatimit të ndryshimeve në ligjet elektorale. Një përvojë e tillë nuk ka patur vend kurrë ndonjëherë më parë, kur disa komitete me rëndësi kyçe, ndoshta dhe ushtarake, ti jepen për kryesim përfaqësuesve të opozitës. Dhe unë mendoj se në funksionimin e tyre nuk do të ketë kurrfarë eksesesh apo problemesh.

0Faktikisht parlamenti po shndërrohet në një platformë vlerëplotë diskutimi, kurse partisë në pushtet “Rusia e Bashkuar” do ti duhet të formojë koalicione për të marrë vendime të rëndësishme.

Roman Mamonov