Ky qytet është vendosur në bregun e djathtë të lumit Vollga, jo shumë larg qytetit Ugliç. Informacioni mbi historinë e tij, që ka arritur deri në ditët tona, është shumë i varfër. Dihet se u themelua ai në shekullin e XII. Gjatë kohës së sundimit të Perandoreshës Ekaterina e Dytë u shndërrua në qark qendror, atje ka qenë edhe Cari Pjetri i Madh (i Parë) me anijet e tij. Në shekullin XVIII në këtë qytet ka qenë shumë e zhvilluar tregtia, kurse në shekullin e kaluar - në kohën e pushtetit sovjetik - qytetin e përmbytën...

Me këtë pjesë të historisë së Kaliazinit lidhen qindra legjenda dhe rastësi mistike. Ky qytet mori namin e Atlantidës ruse.

Kaliazin, si shumë qytete të tjera të Rusisë, u formua nga vendbanimet e zejtarëve dhe tregtarëve, që u përqendruan rreth e përqark manastirit të ndërtuar në shekullin XV. Në sakristi ruheshin shumë sende të çmuara kishtare dhe libra antike, ndërsa pranë manastirit funksiononin shkolla dhe spitali. Në mesin e viteve 1930 të shekullit të XX u morr vendimi për të krijuar një rezervuar në Kaliazin. Shumë godina banimi urbane u shkatërruan atëhere. Si rezultat i vërshimit të ujit qyteti Kaliazin u nda në dy pjesë, të cilat më pas u bashkua me një pendë (ledh). Kurse qendra e qytetit u ndodh e zhytur nën ujë. Manastiri dhe Katedralja e Shën Nikollës, e cila hynte në ansamblin e ndërtesave të tij, u zhdukëm menjëherë nën ujë. Por kambanorja e Katedrales së Shën Nikollës mbeti megjithatë e dukshme mbi ujë dhe atëhere atë vendosën ta hedhin në erë. Ndërsa drejt saj filluan të çonin me varka eksplozivin, njëri nga arkitektët vendas, emri i të cilit mbeti i panjohur, deklaroi se Katedralja me kambanoren duhet të ruhen si far (fener), sepse lumi Vollga në këtë vend bën një kthesë të fortë, pothuajse në një kënd të ngushtë. Autoritetet e konsideruan argumentin e tij të arsyeshëm dhe vendosën ta lenë kambanoren, kurse kambanën urdhëruan ta heqin. Në vendin e fiksimit të saj nën kube instaluan një mekanizëm, me ndihmën e të cilit duhej ta ulnin poshtë kambanën. Por puna për demontimin e saj dështoi... Nga pesha e madhe u këputën si të ishin fije peri litarët prej çeliku dhe kambana filloi të bjerë poshtë me shpejtësi duke shkatërruar pjesërisht muret e kambanares dhe tavan pas tavani të 5 kateve të saj. Nuk e përballuan goditjen e fuqishme as kubetë e bodrumit. Toka u drodh dhe kambana ra me kujdes drejt e në bodrum duke ngritur shtëllunga pluhuri të kuq tullash. Ky vend u përmbyt shumë shpejt nga uji dhe autoritetet vendosën të mos merren më me këtë punë duke e lënë çdo gjë ashtu siç është. Por pikërisht pas kësaj dhe fillon historia, të cilën disa e besojnë, ndërsa të tjerë - jo. Djemtë e mitur vendas, të cilët notonin shpesh herë rreth saj, nisën të tregojnë se kambana gumëzhin. Pak kush besonte se kjo është e vërtetë, por në qershor të vitit 1941 të gjithë banorët e Kaliazinit dëgjuan një kushtrim të fuqishëm, të vërtetë. Kambana filloi të bjerë në mes të natës. Vazhdoi ajo të bjerë pa pushim me sinjalin e alarmit deri në mëngjes. Besimtarët të pushtuar nga paniku filluan të thonë se kjo paralajmëron luftë. Dhe lufta filloi në të vërtetë. Më 22 qershor të vitit 1941 Gjermania hitleriane sulmoi Bashkimin Sovjetik.

Me kambanoren e Katedrales së Shën Nikollës janë të lidhura edhe shumë histori të tjera. Autoritetet lokale vendosën njëherë ta përdorin atë si kullë për parashutistët. Nga ajo startonin parashutistët sovjetikë - në qytetin Kaliazin filloi të zhvillohej në mënyrë mjaft aktive trajnimi i sportistëve. Por jo për një kohë të gjatë, duhet thënë. Një nga vajzat parashutiste, gjatë hedhjes nga maja e kambanares, ra në shkëmbinjtë e bregut të lumit dhe vdiq në vend. Pas tragjedisë ajo u mbyll për këtë aktivitet sportiv.

Tani kjo zonë është përforcuar mirë duke krijuar rreth kambanares një ishull të vogël artificial me vendankorim prej druri. Në mot të mirë atje mund të bëhen shëtitje me varkë, por kjo nuk është fort e domosdoshme, sepse kambanorja e përmbytur duket nga çdo pikë e qytetit.

0Duam të theksojmë, se përveç tempullit të përmbytur qyteti nuk ofron ndonjë gjë të veçantë, tërheqëse për turistët. E megjithatë ai ia vlen të shihet. Kambanorja pesë-katëshe e Katedrales së Shën Nikollës është simbol i trishtë i qytetit Kaliazin. Ajo vë në pah vendin ku dikur ka qenë bregu i lartë i lumit. Gumëzhinte ai nga veprimtaria e tregtarëve dhe zejtarëve në shesh dhe prej andej merrnin fillesën e vet në formë rrezesh rrugët me shtëpitë e tregtarëve të pasur. Por të gjitha këto i përkasin tashmë të kaluarës. Qyteti nuk mundi ta marrë më dot veten nga ato që përjetoi dhe vazhdon të mbetet në rënie, apati dhe harresë të plotë.