Në 50 herë më shtrenjtë se çmimi fillestar u shitën më 12 dhjetor në ankandin e Gjenevës fotografitë unikale dhe të papublikuara më parë të familjes perandorake ruse.

Në ankand u nxorrën më shumë se 300 fotografi ekskluzive, shumë prej të cilave janë nënshkruar nga anëtarët e familjes perandorake. Çmimi fillestar i koleksionit varionte nga 30-50.000 franga, ndërsa u shitën ato për 1.6 milionë franga (më shumë se 1,73 milionë dollarë). Ky është rezultat i jashtëzakonshëm i një ankandi të mrekullueshëm, komentoi rezultatet e shitjeve Drejtori i Shtëpisë së ankandit Bernard Piguet. Koleksioni i fotografive të sipërpërmendura i përkiste Ferdinand Thormeyer, mësuesit zviceran të fëmijëve të Carit Aleksandri III, duke përfshirë edhe Perandorin e ardhshëm rus Nikollai II (Nicholas II).

Një vit më parë në një ankand në Gjenevë tashmë u shit korrespondenca e familjes perandorake me Ferdinand Thormeyer, në të cilën ishin përfshirë rreth 2000 letra personale, kartolina, vizatime dhe fotografi.

Emrat e blerësve të koleksionit mbahen sekret, thotë Kryeredaktorja e botimit zviceran të “Nasha gazeta” («Наша газета») Nadiezhda Sikorskaja:

- Natyrisht, ne si botim në gjuhën ruse në Zvicër që jemi do të dëshironim shumë që këto dokumente historike të ktheheshin në Rusi. Dhe që ti dorëzoheshin, për shembull, Muzeut të Familjes Perandorake, i cili është krijuar në Ekaterinburg.

Në vitin 2003 jo vetëm në Rusi, por dhe në shumë vende të botës ku jetojnë bashkatdhetarët tanë, do të kremtohet 400 vjetori i dinastisë Romanov, kujton Sekretari i shtypit i Fondacionit të Bamirësisë me emrin e Lartmadhërisë së Saj Perandorake, Dukeshës së Madhe Olga Aleksandrovna, shkrimtari Andrei Hvalin:

- Në Rusi përgatitjet për këtë ngjarje të shënuar tashmë kanë filluar. Në radhë të parë në qytetin Kostroma, ku zuri fill dinastia Romanov, si dhe në Jarosllavl dhe Ekaterinburg. Atje po krijohet komisioni kishtaro-shtetëror i përbërë nga përfaqësuesit e autoriteteve lokale dhe patrikanës. Për këtë ngjarje të rëndësishme duhen shkruar dhe duhen botuar libra. Duhet të përgatiten emisione radio-televizive, të xhirohen filma.

Shpresohet që festa e sipërpërmendur të marrë karakter mbarëpopullor rus. Është tejet i rëndësishëm fakti se nën skeptrin e carëve rusë është bashkuar i gjithë populli shumëkombësh i perandorisë, vë në dukje Andrei Hvalin.

Suksesi i ankandit zviceran është dëshmi e gjallë e interesit që shfaqet në botë ndaj kësaj date dhe ndaj historisë ruse në përgjithësi. Në arkivat ruse ruhen shumë dokumente të lidhura me dinastinë Romanov, që nuk i janë nënshtruar deri tani studimit të thelluar shkencor, vuri në dukje Andrei Hvalin. Dhe arkivistët rusë, sipas mendimit të tij, janë në pritje të zbulimeve të reja.

Mihaill Aristov