Duma Shtetërore e re e VI e Rusisë do të mbajë mbledhjen e vet të parë tashmë që më 21 dhjetor. Sipas Kushtetutës së Rusisë, Duma Shtetërore duhet të zhvillojë mbledhjen e parë plenare në ditën e 30-të pas zgjedhjeve parlamentare. Por Presidenti ka të drejtë të thërrasë parlamentin e zgjedhur rishtas edhe para këtij afati.

Dimitri Medvediev vendosi ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe nënshkroi Dekretin, sipas të cilit Dhoma e ulët e parlamentit do të mblidhet në godinën e Dumës Shtetërore në Ohotni Riad pas një jave, më 21 dhjetor. Kurse të nesërmen e kësaj dite në Kremlin vetë Dimitri Medvediev do të dalë me Mesazhin drejtuar Asamblesë Federale. Për të gjitha këto Presidenti njoftoi në takimin e mbajtur me liderët e partive politike të përfaqësuara në Dumën e re Shtetërore. Takimi në fjalë në rezidencën e Kryetarit të shtetit në periferitë e Moskës u bë i pari pas zgjedhjeve parlamentare të 4 dhjetorit dhe protestave masive që përfshinë gjithë vendin.

Ankesat për shkelje gjatë zhvillmit të zgjedhjeve për Dumën Shtetërore të Rusisë duhet të shqyrtohet me kujdes dhe mbi bazë të analizimit të tyre do të merren vendime të drejta, deklaroi Dimitri Medvediev. Në Dumën e re Shtetërore opozita do të ketë më shumë influencë. Kurse autoritetet do të vazhdojnë kursin e marrë për reformimin e sistemit politik në vend:

- Në mënyrë që të garantohen të drejtat e të gjitha partive, të cilat janë aktualisht të pranishme në Dumën Shtetërore të legjislaturës së re, është e nevojshme që një pjesë e mirë e komiteteve të saj të kontrollohen jo vetëm nga partia ime, e cila ka shumicën në parlament, por dhe nga opozita. Unë do të kërkoj, si udhëheqës i listës zgjedhore të Partisë “Rusia e Bashkuar”, që kjo të merret parasysh. Unë mendoj gjithashtu se është e nevojshme që të vazhdojnë të gjitha përpjekjet tona jo vetëm në drejtimin ekonomik, por dhe për reformimin e sistemit politik, duhen të miratohen zgjidhje të reja, duhet të ndërmerren hapa më të vendosur për eliminimin e kufizimeve të akumuluara në veprimtarinë politike.

Ekspertët nuk përjashtojnë faktin që nismat konkrete të Presidentit të shpallen në mesazhin e tij drejtuar Asamblesë Federale. Pas takimit me Presidentin Dimitri Medvediev udhëheqësit e Partisë “Rusia e Drejtë” dhe Partisë Komuniste të Federatës Ruse (KPRF) i bënë të ditur gazetarëve se që në mbledhjet e para të Dumës së VI Shtetërore do të kërkojnë krijimin e komisionit për hetimin e falsifikimeve e manipulimeve që patën vend, sipas mendimit të tyre, gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 4 dhjetorit. Kurse Zëdhënësi i Dumës së V Shtetërore Boris Grizllov parashtroi konfiguracionin e mundshëm të parlamentit të ri. Sipas mendimit të tij, deputetët e partive opozitare do të kryesojnë 14 nga 29 komitetet e Dumës Shtetërore. Përveç kësaj, nga 8 postet e zëvendës-spikerëve të Dumës Shtetërore 3 mendohet t'i jepen komunistëve, përfaqësuesve të Partisë “Rusia e Drejtë” dhe liberal demokratëve. Kurse postin e spikerit të parlamentit Boris Grizllov, natyrisht, ia atribuon Partisë “Rusia e Bashkuar”.

Roman Mamonov