Në 30 vitet e ardhshme kërkesa për burimet e energjisë do të rritet me më shumë se 1/3, duke përfshirë edhe atë për gaz - 60%. I tillë është parashikimi i ekspertëve të Exxon Mobile. Për sigurimin e një kërkese të kaq të lartë do të duhet të rritet vëllimi i investimeve në këtë sektor dhe Rusia - si një nga prodhueset dhe eksportueset më të mëdha të gazit natyror në botë - ka perspektiva të shkëlqyera për rritjen e tyre, shprehen ekspertët.

Ja ne ç’thotë në lidhje me këtë Drejtori i filialit rus të kompanisë Pace Global Energy Services Armen Badallov:

-  Rusia ka një sistem jashtëzakonisht serioz tubacionesh, i cili lidh Siberinë me Evropën Perëndimore. Vënia në shfrytëzim e gazsjellësit “Nord Stream” (“Rryma Veriore”) e përmirësoi në mënyrë të ndjeshme situatën me transportin. Evropa është një treg shumë voluminoz konsumi, por pavarësisht nga ky fakt në perspektivë kërkesa kryesore për gaz do të vijë nga rajoni aziatik, nga Kina. Ky është një avantazh i rëndësishëm konkurrues i Rusisë në krahasim me po atë Katar, i cili po përballohet me probleme e komplikacione të rënda me shpërndarjen në këtë apo atë rajon.

Shekulli i XXI do të jetë shekull i gazit, shprehet me bindje të plotë Kreu i Fondit rus të Sigurisë Kombëtare të Energjisë Konstantin Simonov:

- Dhe kjo kuptohet nga të gjithë analistët. Por gazi nuk do të jetë i lirë, pjesërisht për vetë faktin se bota po kalon gradualisht në nxjerrjen e kësaj lënde hidrokarbure në vendburime të largëta, në zona të vështira.

Po vjen duke u rritur rëndësia e vendburimeve të Arktikut dhe sektori rus i shelfit të tij është më premtuesi, gjë kjo që duhet të bëhet një stimul i fuqishëm për investitorët, thotë Konstantin Simonov:

- Arktiku do të bëhet një zonë mjaft serioze e nxjerrjes së hidrokarbureve. Vendburimet kryesore të gazit natyror arktik - deri në 80% - ndodhen në zonën ruse. Për këtë dëshmojnë rezultatet e kërkimeve serioze të ekspertëve perëndimorë.

Projekti më i rëndësishëm i shelfit arktik është vendburimi Shtokman, i cili do të vihet në shfrytëzim tashmë që në vitin 2016. “Gazprom” rus po e zbaton këtë projekt shumë-miliardë dollarësh së bashku me kompaninë norvegjeze “Statoil” dhe atë franceze “Total”. Ky vendburim do të plotësojë bazën e burimeve të tubacionit “Nord Stream”, i cili, me që ra fjala, është gjithashtu projekt internacional. Rusia, duke përfshirë partnerët ndërkombëtarë në realizimin e projekteve të veta më të rëndësishme, demonstron qartë se për të janë të rëndësishme investimet e huaja. Në këmbim të kësaj ajo merr teknologjitë e nevojshme bashkëkohore.

0Në të ardhmen e afërt autoritetet ruse planifikojnë të lehtësojnë në mënyrë të ndjeshme aksesin e investimeve të huaja në kompleksin energjetik dhe të lëndëve djegëse të Rusisë. Fjalë bëhet, mbi të gjitha, për një numër të madh iniciativash tatimore.

Polina Çernica