Sonda ndërplanetare amerikane “Dawn” (“Agimi”) u ul me sukses deri në lartësinë 210 kilometra nga sipërfaqja e asteroidit Vesta dhe ia hyri fazës më të rëndësishme të studimit të tij. Brenda 10 javëve aparati do të duhet të përcaktojë përbërjen e elementeve të sipërfaqes së asteroidit dhe do të analizojë veçoritë e fushës gravitacionale të tij, njoftuan në NASA.

0Asteroidi Vesta, diametri i të cilit rezulton 530 kilometra, është trupi i dytë qiellor për nga madhësia e vet në brezin e asteroidëve që ndodhen midis Marsit dhe Jupiterit. Astronomët e kanë vrojtuar që prej kohësh atë, por deri në momentin e fillimit të ekspeditës së sondës “Dawn” nuk kishin një parafytyrim të qartë mbi sipërfaqen e asteroidit. Presupozohet se në asteroidin Vesta dikur ka patur ujë, i cili është një nga kushtet e lindjes së jetës.