Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev komentoi demonstratat masive që u zhvilluan në qytetet ruse të shtunën e kaluar, më 10 dhjetor. Dhjetëra mijëra njerëz protestuan gjoja për shkeljet e shumta të supozuara në zgjedhjet parlamentare. Presidenti Medvediev në faqen e vet në Facebook deklaroi, se nuk pajtohet aspak me idetë e shprehura në protestat e sipërpërmendura, por megjithatë urdhëroi që të verifikohen të gjitha njoftimet dhe akuzat mbi shkeljet e mundshme në zgjedhjet parlamentae të 4 dhjetorit.

Ia vlen të përmendet në këtë rast fakti, se Dimitri Medvediev zgjodhi po të njëjtën metodë për të shprehur mendimin e vet si dhe opozita për organizimin e protestave - rrjetet sociale. Mendimet e Presidentit u dukën në faqen e tij personale në Facebook në mbrëmjen e së dielës. Ja se ç’shkroi ai: “Sipas Kushtetutës qytetarët e Rusisë gëzojnë lirinë e fjalës dhe lirinë e tubimeve. Njerëzit kanë të drejtë të shprehin pozitën e tyre, gjë të cilën ata e bënë dje. Unë nuk pajtohem as me deklaratat, as me slloganet që tingëlluan në këto mitingje. E megjithatë unë dhashë udhëzimin për të verifikuar të gjitha njoftimet nga qendrat e votimit, të cilat kanë të bëjnë me respektimin e legjislacionit gjatë zhvillimit të zgjedhjeve”. Ndaj këtij shënimi të Presidentit janë bërë më shumë se 10 mijë komente. Ja një nga ato - thotë analisti politik rus Grigori Trofimçuk:

- Ky është një reagim krejtësisht normal. Të gjitha shkeljet që kanë patur vend gjatë zgjedhjeve parlamentare duhet të hetohen medoemos. Bile më tepër se kaq, duhet të hetohet çdo sinjalizim, çdo ankesë. Kjo flet mbi atë se duhet të funksionojë sistemi si para zgjedhjeve, ashtu dhe pas përfundimit të tyre. Ne, si vend dhe si shoqëri civile, kemi arritur në atë fazë zhvillimi kur duhet hetuar çdo sinjal e ankesë dhe ti jepet publikut informacioni i hollësishëm për mënyrën se si është kryer kjo apo ajo shkelje. Mua më duket se KQZ-ja e Rusisë ka ndjekur pikërisht këtë rrugë.

Politikanët, gazetarët dhe thjeshtë përdoruesit e rrjetit filluan të kërkojnë menjëherë nënkuptimet e fshehta të tekstit të deklaratës së Presidentit Dimitri Medvediev. Analisti politik Dimitri Abzallov është i prirur ti përmbahet mendimit se kuptimi i deklaratës është si vijon:

0- Legjitimiteti i përgjithshëm i zgjedhjeve është mjaft i lartë dhe të gjitha çështjet e lidhura me shkeljet duhet të zgjidhen në mënyrë ligjore, domethënë nëpërmjet gjyqit. Ndërsa ideja themelore e Medvedievit konsiston në faktin se autoritetet janë të gatshme për ndryshime, por pa trazira revolucionare.

Roman Mamonov