Dita e Heronjve të Atdheut, e cila kremtohet më 9 dhjetor në Rusi, ka një traditë mjaft të hershme. Në vitin 1769 Perandoresha Ekaterina e II në këtë ditë themeloi Urdhërin e Shën Gjergjit. Me këtë Urdhër dekoroheshin ushtarakët që “kryenin vepra heroike duke demonstruar shembullin e lartë të shpirtit të paepur dhe vetëmohimit”.

Statusi i dekoratës ushtarake iu rikthye urdhërit në vitin 2000. Kurse që nga 9 dhjetori i vitit 2007 në këtë ditë nderohen Heronjtë e Bashkimit Sovjetik, Heronjtë e Federatës Ruse, mbajtësit e Urdhërit të Shën Gjergjit dhe Urdhërit të Lavdisë.

Rusia ka mbrojtur në shekuj jo vetëm territorin e saj dhe popullin e vet. Ajo ka çliruar jo një herë edhe vendet e tjera. Kështu, në fillim të shekullit XIX Ushtria e Rusisë i dha goditje dërrmuese trupave të Napoleonit duke i detyruar ato të pranojnë disfatën. Kjo u bë ngjarje me rëndësi kthese vendimtare në çështjen e çlirimit të Evropës. Pas gjysmë shekulli, gjatë luftës me turqit, Ushtria ruse çliroi popujt e Ballkanit nga zgjedha osmane. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore Ushtria e Kuqe i dha goditjen shkatërrimtare vendimtare Gjermanisë hitleriane dhe shpëtoi qytetërimin nga “murtaja kafe”.

Në histori ka epoka heroike, por kohën e sotme është vështirë ta quash të tillë. E megjithatë, ka sigurisht vend në të edhe për vepra heroike, mendon Heroi i Bashkimit Sovjetik, gjeneral-majori Nikollai Antoshkin:

- Tek ne radhët e heronjve të brezit të vjetër po vijnë duke u pakësuar nga dita në ditë. Këta janë Heronjtë e Bashkimit Sovjetik. Kurse numri i Heronjve të Federatës Ruse po rritet gradualisht. Dhe ky fakt na gëzon ne pa masë. Sepse kanë se prej kujt të marrin shembull e të mësojnë të rinjtë se si ti shërbejnë Atdheut. Heronjtë janë të ndryshëm. Ndër ta ka pilotë-kolaudatorë, marinarë nëndetëseje, kozmonautë. Të tillë janë edhe ata që luftojnë kundër terrorizmit. Dhe përkatësisht moshës këta janë njerëz të ndryshëm gjithashtu. Duke filluar që nga 23-24 vjeç e më të mëdhenj.

Është mjaft interesante, treguese edhe biografia e vetë Nikollai Antoshkinit. Në fund të viteve ’60 të shekullit të kaluar ai mori pjesë në veprimet luftarake në rajonin e ishullit Damanski, ka luftuar në Afganistan. Në vitin 1986 Nikollai Antoshkin drejtoi grupin e bashkuar të aviacionit, i cili u përfshi në likuidimin e pasojave të katastrofës së Çernobilit. Edhe pas marrjes së dozës së rrezatimit prej më shumë se 600 X-ray dhe humbjes në peshë deri në 11 kilogramë, ai vazhdoi të koordinonte veprimet e vartësve të vet. Dhe vetëm pas mbylljes së reaktorit bërthamor ai doli nga zona e ndotur me rrezatim radioaktiv. Më tej, pasi kapërceu pasojat e rënda të mbidozës së rrezatimit të marrë në vendin e likuidimit të katastrofës së Çernobilit, Nikollai Antoshkin vazhdoi shërbimin në fushën e aviacionit. Në fillim të viteve nëntëdhjetë ai krijoi dhe formalizoi juridikisht skuadrat e famshme të pilotazhit: “Kreshnikët rusë” («Русские витязи»), “Strizhi” («Стрижи») dhe “Husarët e qiellit” («Небесные гусары») (*husar-kalorës në ushtri).

Dita e Heronjve të Atdheut është shumë e rëndësishme për Rusinë bashkëkohore, por kremtohet ajo megjithatë pa bujë të madhe e pompozitet të tepruar. Ndoshta sepse heronjtë e vërtetë në jetën e përditshme janë njerëz modestë.

Mihaill Aristov