Për parandalimin e sulmeve ajrore të NATO-s Pakistani po vendos mjetet e veta ushtarake të mbrojtjes kundërajrore në zonën e kufirit me Afganistanin. Për këtë deklaroi të premten Përfaqësuesi i Komandës ushtarake, gjenerali Ashfaq Nadeem. Ai vuri në dukje gjithashtu se Islamabadi nuk ka ndërmend të tolerojë më praninë në vend të bashkëpunëtorëve të shumtë të CIA-s dhe i quajti SHBA “aleate imagjinare” të Pakistanit, plotësisht të afta për të ndërmarrë sulme të reja.

Kjo u bë përgjigje e Pakistanit ndaj sulmeve ajrore të aviacionit të NATO-s më 26 nëntor mbi një nga pikat e kontrollit të ushtrisë pakistaneze. Atëhere gjetën vdekjen më shumë se 20 ushtarakë. Akuzat në adresë të SHBA tingëlluan pavarësisht nga fakti se Forcat e Ndihmës Ndërkombëtare të Sigurisë (ISAF) në Afganistan e shpjeguan incidentin si gabim të rastësishëm. Uashingtoni i kërkoi falje Pakistanit, kurse Presidenti Barack Obama premtoi hetimin e imtësishëm të incidentit tragjik. Ja si e vlerëson situatën e krijuar eksperti i Institutit rus të Studimeve Orientale Vladimir Moskalenko:

- Shumë njerëz janë të prirur ti përmbahen mendimit se ky është një provokim. Po nga cila palë? Kjo është vështirë të përcaktohet, sepse një gjë e tillë, në dukje, nuk i leverdis asnjës palë. Për Pakistanin është shumë e rëndësishme aleanca me SHBA, meqenëse ai ndodhet në një situatë shumë të vështirë ekonomike. Nëse e humbet këtë ndihmë, situata do të përkeqësohet në mënyrë të ndjeshme në këtë vend. Për amerikanët Pakistani është gjithashtu tejet i rëndësishëm - ai është vend fqinj me Afganistanin. Para fillimit të tërheqjes masive të trupave aleate, sigurisht paraqitet tejet e rëndësishme pozita e Islamabadit. Pikërisht nga ajo dhe do të varen kushtet e largimit. Ky është një problem shumë serioz për Barack Obama.

Pas sulmit ajror në fjalë Pakistani mbylli një nga kanalet vepruese të furnizimit të trupave të NATO-s në Afganistan, veprim ky me të cilin e komplikoi shumë situatën e kontingjentit ndërkombëtar. Edhe një rrugë tjetër e furnizimit të tyre kalon nëpër territorin e Rusisë, por marrëveshja përhapet vetëm mbi ngarkesat e destinacionit jo ushtarak. Kurse Aleanca e Atlantikut të Veriut tani për tani nuk i është drejtuar Moskës me kërkesë zyrtare për zgjerimin e tranzitit përmes territorit të saj. Situata u përkeqësua seriozisht të enjten, kur në jugperëndim të Pakistanit militantët sulmuan një autokolonë me ngarkesa. Ata arritën të shkatërrojnë më shumë se 30 kamionë me karburant dhe produkte ushqimore.

0Ngjarjet në Pakistan duken akoma dhe më të paqarta në qoftë se do të merret parasysh sëmundja e papritur e Kryetarit të shtetit. Për shkak të problemeve me zemrën Presidenti Asif Ali Zardari në mes të javës u nis me aeroplan për kurim në Dubai. Si rezultat, në Pakistan filluan të qarkullojnë thashetheme në lidhje me “puçin e qetë” në vend dhe transferimin e pushtetit në duart e ushtarakëve. Komplikohet akoma dhe më shumë situata nga fakti se atakun kardiak misterioz të Presidenti Asif Ali Zardari e parapriu tërheqja urgjente e ambasadorëve të Pakistanit nga një sërë vende. Vëzhguesit pakistanezë nuk përjashtojnë edhe një zhvillim të tillë të ngjarjeve: bile dhe në qoftë se Asif Ali Zardari do të kthehet në atdhe, ka shumë mundësi që këtë ta bëjë jo më si kryetar shteti.

Konstantin Garibov