Shkarko audiofailin

Paratë gjermane i duan të gjithë, pa mbështetjen e Gjermanisë eurozona do të ishte shpërbërë që një vit më parë. Por jo të gjithëve u vjen për mide epërsia gjermane në BE dhe sot më shumë se kurrë. Në një konkluzion të tillë arriti në prag të samitit të BE-së botimi kryeqytetas “Berliner Morgenpost” dhe jo krejt rastësisht, duhet thënë.

Në mesin e politikanëve evropianë po vjen duke u rritur pakënaqësia e shurdhër, e heshtur tani për tani nga ndikimi në rritje i Gjermanisë me mbështetjen e Francës. Ideja kryesore e planit Merkel-Sarkozy, e cila konsiston në forcimin e disiplinës fiskale dhe ndëshkimin automatik të shkelësve të saj - jo të gjithëve i pëlqen. Po çfarë do të ndodhë në qoftë se nuk do të arrihet uniteti në lidhje me çështjen e ndryshimit të traktateve ekzistuese të BE-së? Ja si i përgjigjet kësaj pyetjeje Drejtuesi i Qendrës për Studime Gjermane të Institutit rus të Evropës Vlladisllav Bjellov:

- Shanset, që propozimet të pranohen, janë minimale. Nuk do të japë pëlqimin e vet Britania e Madhe. Do të gjendet edhe 2-3 vende të tjera që po ashtu do të kundërshtojnë këto propozime. Por Merkel dhe Sarkozy kanë edhe një plan tjetër rezervë - në kuadër të eurozonës. Me sa duket nga të gjitha, ai është më i mundshëm për tu pranuar, meqenëse arritja e marrëveshjes së plotë midis 27 vendeve anëtare të BE-së është pothuajse e pamundur në një të ardhme të afërt.

Varianti rezervë i Berlinit dhe Parisit është me të vërtetë gati. Dhe jo vetëm në rastin e mungesës së unitetit. Reformat e propozuara, ka shumë mundësi, të kërkojnë ndryshime në Traktatin e Lisbonës. Në një sërë vendesh të BE-së për këtë do të duhet të mbahen referendume - punë kjo shumë kohëgjatë dhe me rezultat të paparashikueshëm. Në gjithë zonën e euros gjërat mund të zgjidhen me një rrugë shumë më të thjeshtë: me marrëveshje suplementare dhe pa kurrfarë korrektimi të Traktatit. Kurse jo-anëtarët e Bashkimit Monetar Evropian, po të kenë dëshirë, mund të bashkohen me të.

0Situata në vigjilje të samitit paraqitet tejet e komplikuar. Berlini dhe Parisi nuk janë të gatshëm për të lëshuar pe. Por edhe për Kryeministrin britanik Cameron, në qoftë se ai do të ulë kryet me druatje e bindje përpara diktatit franko-gjerman, do të jetë më mirë që të mos kthehet në atdhe. Kanë pretendimet e veta edhe shtetet debitore. Sanksionet automatike financiare për tejkalimin e nivelit 3% të deficitit buxhetor nuk i vijnë aspak për mide atyre. Kjo është arsyeja pse ato insistojnë në parimin “nuk ka rregulla pa përjashtime”. Për këto vende është e pëlqyeshme gjithashtu ideja e socializimit të borxhit publik në formën e eurobonove unike. Por për këtë as që do të dëgjojë fare Angela Merkel. Deklarata jashtëzakonisht të ashpra tingëlluan në prag të samitit nga Berlini. Gjermania nuk do të pranojë kurrfarë “kompromisesh të kalbura”, ajo do të mbrojë me insistim pozitat e bashkërenditura me Francën. Gjëja më kryesore për Kancelaren “e hekurt” gjermane është realizimi i planeve për stabilizimin e euros jo më vonë se marsi i vitit 2012.

Sergei Guk