Vladimir Putin vizitoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kryeministri rus dorëzoi dokumentet për t’u regjistruar si kandidat për president. Zgjedhjet presidenciale janë planifikuar për në 4 mars të vitit 2012. Kushdo që ta zërë këtë post sipas rezultateve të zgjedhjeve, duhet thënë, se presidenca e tij nuk do të jetë aspak e lehtë - parashokojnë analistët.

Kongresi i Partisë “Rusia e Bashkuar” deklaroi zyrtarisht Vladimir Putinin kandidat për president të Rusisë më 27 nëntor. Kurse të martën Këshilli i Përgjithshëm i Partisë emëroi përfaqësuesit e vet në zgjedhjet presidenciale. Në listën prej 11 personash janë përfshirë Sekretari i shtypit i Kryeministrit rus Dimitri Peskov dhe Nënkryeministri Vlaçesllav Vollodin.

Për herë të parë Putin zuri postin më të lartë shtetëror në vitin 2000 - pasardhës të vet atë e shpalli Presidenti i parë i Rusisë Boris Yeltsin. Si trashëgim nga epoka e Yeltsin liderit të ri i mbeti një vend me sistem krejtësisht të shkatërruar drejtimi, konflikte të shumta të brendshme, me probleme separatizmi, luftën në Çeçeni, me një botë të shfrenuar kriminale, me autoritetin e humbur të Rusisë në arenën ndërkombëtare. Dhe Vladimir Putin, gjëja e parë që bëri ishte marrja e kursit të rreptë për centralizimin dhe konsolidimin e pushtetit vertikal. Përveç forcimit të sistemit shtetëror, ndër rezultatet pozitive të politikës së Putinit për dy mandatet presidenciale të tij (periudha e viteve 2000-2008), zakonisht përmendet stabilizimi i situatës socio-politike në Rusi dhe forcimi i ekonomisë së saj. Ka, natyrisht, edhe vlerësime negative (pjesa më e madhe e të cilave tingëllojnë nga jashtë). Siç nuk pushojnë së konfirmuari në Perëndim, në vend shtypen të drejtat dhe liritë civile, institucionet demokatike. Sipas fjalëve të vetë Putinit, këto deklarata synojnë të mbështesin ato forca në Rusi, “të cilat disa politikanë të huaj i etiketojnë si pro-perëndimore”. Dhe qëllimi i tyre kryesor është ta bëjnë Rusinë më të përkulshme, më të përpunueshme në çështjet që nuk kanë lidhje as me demokracinë, as me të drejtat e njeriut, por me të tilla si çarmatimi dhe mbrojtja antiraket.

Mandati i ri presidencial do të shtrojë për zgjidhje përpara kryetarit të shtetit detyra shumë të komplikuara. Probleme janë akumuluar mjaft, thekson eksperti i Institutit rus për Strategjinë Kombëtare Pavell Sviatenkov:

- Detyra kryesore është reformimi i ekonomisë së vendit. Putini nuk ka arritur akoma të zgjidhë problemin e varësisë së ekonomisë së vendit nga eksporti i lëndëve të para. Ndërkohë që animi i ekonomisë nga lëndët e para e bën Rusinë një shtet jo shumë efikas. Së dyti, lufta kundër korrupsionit. Së treti, domosdoshmëria e reformimit të ushtrisë, sferës së përkujdesit shëndetësor, sistemit të pensioneve. Me fjalë të tjera, përpara Vladimir Putinit qëndrojnë probleme mjaft serioze dhe të komplikuara. Dhe ai nuk duhet në asnjë mënyrë të “konservojë” situatën duke lidhur shpresat me çmimet e larta të naftës dhe gazit natyror.

0Sekretari i shtypit i Kryeministrit është mëse i bindur se Putin do t’ia dalë punës mbanë me zgjidhjen e këtyre detyrave. Sipas fjalëve të Dimitri Peskov, ai ka rezervë të brendshme për të përmirësuar situatën, për të zgjeruar sferat e përdorimit të aftësive e talenteve të veta. Kurse mbështetja që i japin Putinit rusët është dëshmia më e mirë e asaj, se ai është në rrugë të drejtë.

IgorLevkov