Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit janë vënë në gjendje gatishmërie të lartë luftarake. Në Teheran druhen se vendi mund ti nënshtrohet sulmeve nga ana e Aleancës së Atlantikut të Veriut,  e cila po përpiqet të shkatërrojë elementet kyçe të infrastrukturës bërthamore të vendit. E gjithë kjo po ndodh në sfondin e ashpërsimit të saksioneve ekonomike kundër Iranit nga ana e vendeve perëndimore - deri në ndalimin e importit të naftës iraniane.

Komandanti suprem i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) gjenerali Muhammad Al Xhafari urdhëroi përqendrimin e raketave balistike me rreze të largët veprimi në objektet sekrete në gjithë territorin e vendit. Në këtë mënyrë Irani do të mbrohet nga sulmet e armikut. Përveç kësaj, në përbërjen e Forcave Ajrore iraniane janë formuar disa njësi të reagimit të shpejtë. Ato po zhvillojnë aktualisht stërvitje ushtarake, në të cilat po praktikojnë kundërgoditjet operative ndaj aviacionit të armikut të supozuar.

Javët e fundit në Iran ka ndodhur një seri shpërthimesh të fuqishme. Më 12 nëntor në Qendrën e madhe kërkimore në rajonin e Teheranit si rezultat i një prej shpërthimeve të tilla gjeti vdekjen gjeneral-majori Hassan Tehrani Moghaddam. Atë e quanin “babain e programit raketor iranian”. Më 28 nëntor edhe një shpërthim tjetër i fuqishëm buçiti në qytetin Isfahan. Si rezultat, sipas disa të dhënave të marra, u dëmtua uzina e pasurimit të uraniumit. Disa ditë më parë u dukën njoftimet se forcat iraniane të mbrojtjes kundërajrore rrëzuan një avion të papilotuar amerikan të tipit RQ-170 Sentinel. Ky aparat është projektuar për zbulim ajror. Të gjitha këto diversione të detyrojnë të flasësh për zhvillimin e një lufte të vërtetë sekrete kundër Republikës Islamike.

Pasionet rreth Iranit dhe programit të tij bërthamor filluan të ziejnë muajin e kaluar, pas sugjerimit të shprehur në raportin e ANEA-s se Teherani po i afrohet krijimit të bombës bërthamore. Fjalë u bë mbi ashpërsimin e sanksioneve ekonomike dhe mundësinë e dhënies së goditjes mbi objektet bërthamore iraniane, në veçanti, nga ana e Izraelit. Po atëhere ekspertët e Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” shprehën mendimin se “protagonisti” kryesor i gjithë këtij procesi është Uashingtoni. Por Shtëpia e Bardhë preferon të qëndrojë mënjanë tani, ndërsa problemin iranian do të përpiqet ta zgjidhë me ndihmën e Tel Avivit.

0Në të njëjtën kohë presioni ekonomik ndaj Iranit është në rritje. Sanksioneve të OKB-së dhe atyre të njëanshme, të vendosura nga SHBA dhe BE-ja, së shpejti mund t’i shtohen të reja, akoma dhe më të ashpra. Në Komisionin Evropian po shqyrtohet aktualisht çështja e ndalimit të importeve të naftës iraniane dhe tashmë u arrit në konsensus. Sipas mendimit të përfaqësuesve të Komisionit Evropian, kjo politikë do të bëhet veçanërisht e efektshme kur me të të bashkohen SHBA dhe Rusia. Uashingtoni, sigurisht, nuk do ta refuzojë këtë gjë. Ndërsa në Moskë janë mëse të bindur se ndalimet dhe sanksionet e reja nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse do ta rëndojnë akoma dhe më shumë situatën e krijuar në rajon.

Igor Levkov