Zgjedhjet për Dumën Shtetërore të Rusisë, të cilat u mbajtën të dielën, përmbushën të gjitha standartet ndërkombëtare dhe legjislacionin zgjedhor të Federatës Ruse. Të tilla janë vlerësimet e bëra nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Sigurisht që puna nuk kaloi pa shkelje, venë në dukje ekspertët, por ato ishin kryesisht me karakter teknik dhe nuk ndikuan në rezultatin e votimit.

Përfaqësuesit e monitorimit ndërkombëtar e morrën me seriozitet të madh misionin e tyre, tha Kryetari i organizatës joqeveritare të Letonisë “Iniciativa politike” Sergei Bllagoveshenskij:

- Unë kam qenë si vëzhgues në qytetin Jarosllavl dhe në rajonin Jarosllavl. Unë isha i interesuar të mësoja nëse ka mundësi votuesi në mënyrë të pavarur, pa presion të bëjë zgjedhjet e vet të lirë dhe të përmbushë detyrën e tij qytetare. Unë mendoj se zgjedhjet ishin mëse demokratike. Një ditë para zhvillimit të tyre ne kemi qenë në disa shtabe parazgjedhore të partive të ndryshme, kemi komunikuar me përfaqësuesit e tyre. Ne kemi lënë gjithkund ku kemi qenë koordinatat tona me qëllim që në raste shkeljesh, pakënaqësish, ankesash ata të kishin mundësi të lidheshin direkt me ne. Nuk u regjistrua asnjë shkelje.

Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), një nga institucionet e OSBE-së, si dhe kritikët tradicionalë të proceseve zgjedhore ruse, bënë vërejtje në lidhje me përgatitjen e zgjedhjeve. Sipas mendimit të tyre, refuzimi i regjistrimit të disa partive ngushtoi fushën për konkurrencë. Megjithatë, ata vunë në pah edhe disa aspekte pozitive, për shembull, debatet televizive, në të cilat të gjithë pjesëmarrësit ishin në kushte të barabarta. Përsa i përket direkt  procesit të votimit, vëzhguesit evropianë nuk gjetën asnjë kleçkë dhe pretekst për kritikë. Organizimin në nivel të lartë të zgjedhjeve e theksoi edhe përfaqësuesja e ODIHR Heidi Tagliavini:

- Para së gjithash, do të dëshiroja të theksoj se zgjedhjet ishin përgatitur mirë, se ishin llogaritur të gjitha momentet organizative. Kjo nuk ishte detyrë aspak e lehtë, duke marrë parasysh përmasat e mëdha të territorit të Rusisë.

Analisti politik i Institutit Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë të Fondit të Politikës dhe Shkencës Eberhard Schneider mendon se ishte e pamundur të falsifikoheshin rezultatet e zgjedhjeve gjatë një monitorimi të tillë të rreptë:

- Unë kam qenë shpesh herë si vëzhgues në zgjedhje. Dhe e di fort mirë se si ndodh një gjë e tillë. Në ditën e zgjedhjeve është vështirë të bëhet falsifikimi. Sepse kur numërohen votat të gjithë vëzhguesit ndodhen rreth e përqark. Ata marrin kopjen e protokollit në dorë. Dhe në qoftë se ju keni vëzhgues të shumtë në qendra të ndryshme votimi, atëhere keni mundësi të merrni protokolle diverse dhe të bëni vetë gjithë numërimin.

Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, Partia “Rusia e Bashkuar” merr pothuajse 50% të votave të zgjedhësve. Ajo do të ketë shumicën e vendeve në Dhomën e Ulët të parlamentit - 238 nga 450 mandate. Në vendin e dytë renditet Partia Komuniste e Federatës Ruse (KPRF) - me më pak se 20% - që do të thotë se ajo i siguron vetes 92 vende në parlament. Më shumë se 13% të votave i fitoi Partia “Rusia e Drejtë”. Ajo mund të marrë 64 mandate. Partia Liberal Demokratike e Rusisë (LDPR) siguroi 56 vende. Tre parti të tjera - “Jablloko” (“Yabloko”), Partia “Kauza e Drejtë” dhe “Patriotët e Rusisë” nuk mundën të kapërcejnë barrierën e nevojshme prej 7% për të hyrë në parlament.

0Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve KQZ-ja e Federatës Ruse do ti shpallë deri më 19 dhjetor. Dhe deri në fund të këtij viti do të formohet përbërja e re e Dumës Shtetërore të Rusisë.

Natalia Kovalenko