Pjesëmarrja e zgjedhësve në votim
Të dhënat e KQZ-së të Federatës Ruse (Updated)

Lufta për vende në Dumën Shtetërore po përfundon. Mbi 100 milionë rusë, të cilët gëzojnë të drejtën e votës, po zgjedhin 450 deputetë nga 7 partitë e regjistruara politike. Më 08.00 të mëngjesit sipas orës lokale do të hapen qendrat e votimit në gjithë territorin e Rusisë. Jashtë kufijve të vendit rusët kanë mundësi të votojnë në qendrat e hapura në ambasadat dhe konsullatat e Federatës Ruse në 146 vende të botës.

Zgjedhjet për Dumën e 6-të Shtetërore, padyshim, do të hyjnë në historinë e parlamentarizmit rus, shprehen me bindje të plotë në KQZ. Për herë të parë në 20 vjet në votim marrin pjesë të gjitha partitë e regjistruara politike në Rusi.

Interesi i shfaqur nga ana e politikanëve dhe qytetarëve ndaj zgjedhjeve është jashtëzakonisht i madh, vuri në dukje Nënkryetari i KQZ-së Leonid Ivliev. Sepse kjo fushatë është verifikim, testim për forcat politike të vendit përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të marsit të vitit 2012. Prandaj konkurrenca për vende në Dumën Shtetërore është mjaft serioze - për një vend pretendojnë 8 kandidatë. Në KQZ parashikojnë një pjesëmarrje të lartë të zgjedhësve në votim.

Ecuria e procesit të zgjedhjeve do të ndiqet nga delegacione të shumta të vëzhguesve të huaj nga Bashkësia e Shteteve të Pavarura (BSHP apo CIS), OSBE-ja, PACE-ja, Këshilli i Evropës, Organizata e Bashkëpunimit e Shangait (OBSH) dhe Këshilli Nordik. Janë ftuar për pjesëmarrje edhe kryetarët e KQZ-ve të më shumë se 20 vendeve të botës. Gjithsej - 700 vëzhgues të huaj dhe gjysmë milioni vëzhgues rusë.

Të gjitha të dhënat në lidhje me procesin e votimit vijnë në regjim kohe reale në Qendrën e Informacionit të KQZ-së në Moskë. Në godinën ku është vendosur ajo punojnë qindra ekspertë, vëzhgues të huaj dhe përfaqësues të partive politike. Zgjedhjet kanë gjeneruar interes të madh në media - në gjithë territorin e Rusisë janë akredituar rreth 2 mijë gazetarë nga Rusia dhe 30 vende të huaja. Evenimenti kryesor pritet më 21.00 sipas orës së Moskës, kur Kryetari i KQZ-së të Rusisë Vladimir Çurov do të njoftojë të dhënat e para zyrtare mbi rezultatet e votimit.

Llada Korotun