Shkarko audiofailin

Irani dyshohet nga shërbimet speciale gjermane për përgatitjen e sulmeve terroriste kundër bazave amerikane të dislokuara në territorin e Republikës Federale Gjermane. Ky informacion u konfirmua nga Prokurori i Përgjithshëm federal gjerman Harald Range. Në të njëjtën kohë Shefi i Policisë Kriminale të Gjermanisë Jörg Ziercke mohoi ekzistencën e një kërcënimi të drejtpërdrejtë.

Njoftimet mbi sulmet e mundshme të agjentëve iranianë mbi objektet ushtarake amerikane u dukën në gazetën e përditshme gjermane “Bildt”. Në deklaratën e  vet Prokurori i Përgjithshëm Harald Range jo vetëm që konfirmoi mundësinë e sulmit në rast të shpërthimit të luftës midis SHBA dhe Iranit, por dhe u shpreh mbi hapjen e procedurës penale dhe përgatitjen e masave preventive (parandaluese). Siç njofton botimi “Frankfurter Allgemeine Zeitung” me referim tek një burim në Prokurorinë e Përgjithshme, dikasteri tashmë ka filluar hetimin kundër një sipërmarrësi gjerman, i cili ka mbajtur kontakte të fshehta me përfaqësuesit e Ambasadës iraniane në Berlin.

Në këtë situatë lind në mënyrë krejtësisht të natyrshme pyetja: po çfarë duhet të mendojnë për këtë gjermanët e thjeshtë? Ngjarjen në fjalë e komenton eksperti i Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë Hans-Henning Schröder:

- Problemi iranian ekziston tashmë që prej kohësh. Dhe shoqëria gjermane, natyrisht, që është e shqetësuar kur nga vendi, që zotëron potencial bërthamor, mund të pritet një kërcënim terrorist. Megjithatë, unë jam i prirur ti përmbahem mendimit se puna do të përfundojë vetëm me përforcimin e masave të sigurisë. Qeveria e RFGJ ka dalë gjithmonë për zgjidhjen politike të konfliktit. Ne gjithashtu shpresojmë se edhe Rusia do të luajë rolin e vet në këtë proces dhe se do të ushtrojë ndikim mbi udhëheqjen iraniane.

Duam t’ju kujtojmë, se që nga koha e Luftës së Ftohtë në territorin e Gjermanisë Perëndimore, në afërsi të qytezës Ramstein, ndodhet një nga bazat më të mëdha ushtarake amerikane. Nëpërmjet saj realizohet pjesa më e madhe e furnizimeve për ushtarët amerikanë që shërbejnë në Irak dhe në Afganistan.

0Nuk duhet lënë kurrsesi në harresë edhe ai fakt se një rol kyç në acarimin e mëtejshëm të konfliktit midis SHBA dhe Iranit mund të luajë Izraeli. Dhe deklarata e Ministrit izraelit të Mbrojtjes Ehud Barak, se Izraeli “tani për tani” nuk ka ndërmend të sulmojë objektet bërthamore të Iranit, jep arsye të shpresohet për zgjidhjen me rrugë paqësore të këtij konfrontimi.

Pjotër Sharapov