Rusia i ka të gjitha shanset për tu bërë një nga ekonomitë më të mëdha të Evropës dhe madje mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Një mendim të tillë ka shprehur në librin e vet ekonomisti i autoritetshëm Jim O’Neill, Kryetari i Bordit të drejtorëve të Goldman Sachs Asset Management. Sipas mendimit të tij, Rusia duhet të shmangë krizat ekonomike, të zgjidhë problemin demografik dhe të mbështesë rritjen e GDP-së.

Jim O’Neill vendosi të analizojë dekadën e fundit dhe të bëjë parashikime për të ardhmen. Ndërsa ajo do të jetë e ndritur për Rusinë, shprehet ekonomisti. Nëse Rusia do të ruajë një rritje stabile të GDP-së në nivelin aktual 4%, atëhere aty nga viti 2017 ajo do të lërë pas Italinë për nga treguesi i GDP-së, kurse në rastin më ideal pas 18-vjetësh do të tejkalojë Francën, Britaninë e Madhe dhe bile shtyllën mbështetëse të gjithë Evropës - Gjermaninë.

Krye-ekonomisti i Deutsche Bank në Rusi Jarosllav Lisovik tregohet më konservativ në vlerësimet e veta, por pranon megjithatë: se Rusia ka një potencial kolosal rritjeje:

- Rusia tani është me të vërtetë më e fortë se Bashkimi Evropian. Problemet e BE-së janë me karakter afatgjatë, ndërkohë që po vjen duke u bërë gjithnjë e më evidente se ritmet e rritjes së tij në perspektivë do të jenë të kufizuara. Në të njëjtën kohë Rusia disponon potencial të qenësishëm për diversifikimin e flukseve të tregtisë dhe investimeve në Azi, në tregjet e ekonomisë botërore që po rriten me shpejtësi të madhe. Dhe kjo do ti lejojë Rusisë të demonstrojë ritme të larta të rritjes ekonomike gjatë dekadës së ardhshme.

Megjithatë, në parashikimin e Jim O’Neill ka disa kushte mjaft serioze për mishërimin e tij. E para - kapërcimi i krizës demografike. Përndryshe, s’do të ketë potencial njerëzor për të ngritur ekonominë. Së dyti, shtojnë ekspertët e anketuar nga Radiokompania “Zëri i Rusisë”, nevojitet një punë mjaft serioze për përmirësimin e klimës investuese. Ndërsa kjo parashikon, si fillim, zhvillimin e reformave administrative, gjyqësore, politike, çrrënjosjen e korrupsionit.

Zgjidhja e problemeve, të cilat janë përcaktuar nga Jim O’Neill dhe ekspertë të tjerë, është përfshirë në listën e prioriteteve të autoriteteve aktuale të Rusisë. Gjithashtu në Moskë e kanë bërë vazhdimisht të qartë se kanë ndërmend të vazhdojnë akumulimin e rezervave, të cilat do të përdoren si jastëk sigurie në   rast të lindjes së krizave në të ardhmen, ndërsa varësia e tepruar nga sektori i lëndëve të para supozohet të minimizohet për llogari të zhvillimit të drejtimeve të reja të ekonomisë. Dhe për arritjen e këtij qëllimi do të kontribuojë Qendra e inovacioneve “Skolkovo” (në periferitë e Moskës).

0Por shumë më interesante paraqiten pasojat gjeopolitike të një rritje të tillë të ekonomisë së Rusisë. Jim O’Neill beson se pas dy dekadash Rusia mund të hyjë në BE.

Roman Mamonov