Në marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Iranit po vjen duke u pjekur një konflikt i ri, fort i komplikuar. Londra mori vendimin për evakuimin e pjesshëm të bashkëpunëtorëve të ambasadës së vet në Teheran pas pogromit të organizuar në prag prej studentëve iranianë. Ata sulmuan ambasadën dhe rezidencën e ambasadorit, i shkaktuan dëm të madh material misionit diplomatik britanik.

Dhe megjithëse Teherani shprehu keqardhjen e vet në lidhje me këtë incident dhe premtoi të zhvillojë një hetim të imtësishëm të tij, sulmi i ndërmarrë mbi ambasadën duket në mënyrë mëse evidente se provokoi rritjen e tensionit në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Iranit.

E dënuan sulmin ndaj ambasadës britanike në Teheran tashmë të gjitha vendet perëndimore, madje dhe ato shtete që kanë kundërshtuar tradicionalisht sanksionet kundër Iranit. Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton e quajti sulmin mbi misionin diplomatik fyerje për gjithë komunitetin botëror. Presidenti amerikan Barack Obama kërkoi nga Teherani “të arrestojë të gjithë personat përgjegjës për pogromin”. Në të njëjtën mënyrë u shpreh edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë Catherine Ashton. Ajo kërkoi nga autoritetet iraniane që të respektojnë detyrimet ndërkombëtare dhe të sigurojnë mbrojtjen e misioneve diplomatike. Një pozitë të rreptë zuri edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Të marten, më 29 nëntor, gati 200 studentë iranianë me prirje radikale sulmuan ambasadën e Britanisë së Madhe në Teheran, uzurpuan rezidencën verore të ambasadorit. Të rinjtë thyen xhamat, hodhën  nga dritaret dokumentet, dogjën flamurin britanik. Sipas fjalëve të dëshmitarëve okularë, policia ka mbetur joaktive për disa orë, duke i dhënë kohë protestuesve të shkatërrojnë ambasadën. Dhe vetëm kur godina u rrënua plotësisht, forcat e repartit të destinacionit të posaçëm filluan ti dëbojnë prej andej protestuesit. Në vetë Teheran, megjithatë, mohojnë përfshirjen e autoriteteve në këtë sulm. Ministria e Jashtme e Iranit shprehu keqardhjen për “veprimet e papranueshme të protestuesve”. Në dikasterin e politikës së jashtme të vendit siguruan se Irani respekton normat e së drejtës ndërkombëtare dhe paprekshmërinë e misioneve diplomatike.

Londra evakuoi tashmë nga Irani të gjithë diplomatët e vet. Disa ekspertë nuk përjashtojnë bile edhe prishjen e të gjitha marrëdhënieve mes dy vendeve. Ekspertja e Institutit Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës (MGIMO) Elena Ponomariova është plotësisht e bindur, megjithatë, se palët nuk do ta çojnë punën deri në këtë pikë, dhe para së gjithash vetë Londra:

- Humbja e shërbimit diplomatik, që është faktikisht qendër e përqendrimit të informacionit, kontakteve, analizës së situates, do të ishte goditje e ndjeshme për Britaninë e Madhe. Tërheqja e trupit diplomatik do t’u privonte anglezëve mundësinë e ndikimit preventiv (parandalues) në situatën në Iran, do të shumëzonte me zero përpjekjet e drejtuara për zhvillimin e politikës së saj në rajon. Prandaj humbja e këtij kanali do të ketë një ndikim negativ në situatën.

Roman Mamonov