Përkeqësimi i mprehtë i situatës në veri të Republikës së vetëshpallur të Kosovës shkakton preokupim mjaft serioz në Rusi, kurse incidentet e fundit atje “kanë karakter flagrant”. Për këtë deklaroi Përfaqësuesi i Përhershëm i Federatës Ruse në OKB Vitali Çurkin gjatë fjalës së marrë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në mbledhjen për diskutimin e zgjidhjes së problemit kosovar.

Diplomati rus konstatoi se forcat e NATO-s në Kosovë (KFOR) “po vazhdojnë të ushtrojnë presion ushtarak mbi serbët kosovarë”. Paqeruajtësit duhet të përqendrohen jo në shkatërrimin e barrikadave, ngritja e të cilave u bë reagim ndaj përpjekjeve provokuese të Prishtinës për të marrë nën kontrollin e vet kufirin administrativ me Serbinë, por në garantimin e sigurisë së të gjithë banorëve të Kosovës, siç parashikohet kjo në mandatin e KFOR-it, theksoi Vitali Çurkin.

Duam t’ju kujtojmë se përplasjet mes ushtarakëve të NATO-s dhe serbëve të Kosovës filluan pas përpjekjes së ndërmarrë në gusht nga autoritetet e Prishtinës për të marrë nën kontroll dy pika kontrolli në kufi me Serbinë. Serbët që jetojnë në Kosovë thonë se në qoftë se atje do të vendosen pika kontrolli shqiptare, atëhere ata do të humbasin çdo lidhje me Serbinë. Si rezultat i tentativës së forcave të KFOR-it për likuidimin e barrikadave të ngritura prej serbëve u plagosën më shumë se 60 veta.

Rusia bën thirrje për një hetim të hollësishëm të ngjarjeve të fundit në Kosovë. Vitali Çurkin vuri në dukje se Misioni i OKB-së në rajon duhet të luajë një rol maksimalisht aktiv në rregullimin e konfliktit kosovar. Kurse tani ai është reduktuar vetëm me plotësimin e funksionit të vëzhgimit, gjë kjo që nuk përputhet aspak me mandatin e tij. Ndërkohë forcat e KFOR-it dhe Misioni i BE-së për respektimin e sundimit të ligjit dhe mbikëqyrjen e rendit (EULEX) faktikisht mbështesin autoritetet shqiptare të Prishtinës.

Serbët kosovarë janë vënë përpara zgjedhjes: ose të humbasin identitetin e tyre kombëtar, ose të mbrojnë të drejtat e veta. Situata është përkeqësuar gjithashtu edhe nga vetë fakti se Beogradi, praktikisht, është distancuar nga përcaktimi i fatit të bashkëqytetarëve të vet, thotë ballkanisti rus Pjotër Iskenderov:

0- Udhëheqja serbe, në mënyrë të veçantë Presidenti i Serbisë Boris Tadiç, është më e interesuar tani në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me Brukselin dhe prandaj për të është i papranueshëm radikalizmi i serbëve të Kosovës. Përsa i përket vetë serbëve kosovarë, ata e akuzojnë tashmë fare hapur udhëheqjen e Serbisë për tradhëti të interesave kombëtare.

Aleksandër Vatutin