Në Rusi gjithçka është gati për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Dita e votimit - 4 dhjetori - do të kalojë në mënyrë të organizuar, nuk parashikohen eksese apo shkelje që mund të ndikojnë në rezultatet e tij. Besimin në këtë e shprehu Kryetari i KQZ-së Vladimir Çurov.

Deri në momentin e evenimentit kryesor politik të vitit në Rusi - zgjedhjet për pushtetin e lartë legjislativ - kanë mbetur vetëm 4 ditë. Që nga dita e martë (29 nëntori) publikimi i sondazheve për zgjedhjet në Dumën Shtetërore ndalohet me ligj. Të dhënat e sondazheve nuk mund të publikohen në asnjë mjet informimi masiv, duke përfshirë edhe Internetin. Kjo masë paraprin të ashtuquajturën ditë të heshtjes zgjedhore, e cila fillon më 3 dhjetor. Qëllimi i saj është që votuesit të kenë mundësi të bëjnë zgjedhjen e vet pa ndonjë presion nga jashtë. Ndalimi do të veprojë deri më 21:00 sipas orës së Moskës të datës 4 dhjetor, kur në Rusi të mbyllen të gjitha vendvotimet. Në të njëjtën kohë KQZ-ja do të fillojë të shpallë rezultatet paraprake të votimit, ndërsa sociologët do të publikojnë rezultatet e exit poll-ve.

Qendrat e votimit, ndërsa të tilla do të hapen mbi 90 mijë në gjithë territorin e Rusisë, janë plotësisht të gatshme për të pritur zgjedhësit. Teknika e duhur është vendosur në to, fletëvotimet - mbi 100 milionë copë - janë shpërndarë tashmë, deklaroi Kryetari i KQZ-së. Ne jemi përpjekur ta organizojmë punën në mënyrë të tillë që askush të mos provojë vështirësi gjatë procesit të votimit, shtoi Vladimir Çurov.

Qendra votimi do të hapen në 145 vende me të cilat Rusia ka marrëdhënie diplomatike. Në disa vende të huaja, po ashtu si dhe në një sërë rajonesh të largëta të Rusisë, votimi tashmë ka filluar dhe do të përfundojë më 2 dhjetor. Por rezultatet do të mbahen sekret deri në mbrëmjen e 4 dhjetorit. Në monitorimin e zgjedhjeve në vendvotimet jashtë shtetit do të marrin pjesë vëzhgues rusë dhe të huaj. Gjithsej, në zgjedhjet për Dumën Shtetërore të Rusisë janë akredituar 649 ekspertë të huaj. Ata përfaqësojnë Bashkësinë e Shteteve të Pavarura (BSHP), OSBE-në, PACE-në, Këshillin e Evropës, Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (OBSH) dhe Këshillin Nordik. Përveç kësaj, janë ftuar kryetarë të KQZ-ve nga më shumë se 20 shtete, tha Vladimir Çurov.

- Ne presim që me monitorimin e procesit të votimit të merren 500 mijë përfaqësues të partive politike. Dua t’ju kujtoj, se legjislacioni rus është një nga të paktët në Evropë që lejon praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë në zgjedhjet federale. Ata kanë të drejta të barabarta me homologët e tyre rusë, me një përjashtim të vetëm - ata nuk mund të përpilojnë aktet e shkeljeve të rregullave të votimit.

0Sipas mendimit të ekspertëve, qytetarët rusë po shfaqin një interesim në rritje ndaj zgjedhjeve. Pritet që këtë herë numri i votuesve të jetë më i lartë se në zgjedhjet e mëparshme katër vjet më parë.

Llada Korotun