Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov bëri thirrje për hetimin e veprimeve të NATO-s. Forcat e Aleancës së Atlantikut të Veriut të shtunën ndërmorrën një sulm ajror mbi një pikë kontrolli në territorin e Pakistanit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen tashmë deklaroi, se ky incident do të shqyrtohet në mënyrë të imtësishme. Megjithatë, autoritetet e Pakistanit nuk e panë të arsyeshme të presin rezultatet e hetimit dhe i dhanë përgjigje pa mënuar Aleancës.

Në një bisedë telefonike me Ministrin e Jashtëm të Pakistanit Hina Rabbani Khar, Sergei Lavrov i shprehu ngushëllimet e veta homologut për humbjet në radhët e ushtarëve pakistanezë dhe theksoi palejueshmërinë e shkeljes së sovranitetit të shteteve, ndër të tjera edhe gjatë planifikimit dhe realizimit të operacioneve antiterroriste.

Pas goditjeve nga ajri të pikës së kontrollit dhe vrasjes së 24 ushtarakëve të Pakistanit, ekspertët filluan të shprehen nëse jo për prishjen, por mbi përkeqësimin e mprehtë të marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Islamabadit. Temën në fjalë do ta shtjellojë më tej Zëvendëskryetari i Këshillit të Federatës për çështjet ndërkombëtare të Rusisë Zijad Sabsabi:

- Është e nevojshme të merret parasysh ai fakt, se situata politike ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore për 5 vitet e fundit në Pakistan. Prirjet e përgjithshme dominuese në shoqërinë e Pakistanit aktualisht janë shumë më agresive dhe ky vend nuk është më besnik ndaj Uashingtonit si më parë, veçanërisht pas eliminimit të Osama bin Ladenit në territorin e Pakistanit. Unë mendoj se sot Presidenti Barack Obama do të bëjë gjithçka të mundur me qëllim që kjo tragjedi të mos shndërrohet në një luftë diplomatike. Vitin e ardhshëm ai do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale dhe prandaj nuk i duhen aspak probleme suplementare me aleatët. Dhe karta e tij më e fortë tani është arritja e një fitoreje të caktuar në luftën kundër terrorizmit.

Rusia nuk mund të lërë pa vemendje atë që ndodhi në Pakistan. Tragjedi të tilla si ajo e ditës së shtunë janë bërë pothuajse traditë në vend, konstatoi Zijad Sabsabi. Secila palë duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e NATO-s.

Në fakt, shpjegimet e NATO-s i duhen më tepër opinionit publik botëror, se sa palës së dëmtuar. Pakistani menjëherë pas sulmit ajror të së shtunës bllokoi plotësisht korridorin tranzit, përmes të cilit furnizoheshin trupat e NATO-s në Afganistan. Ministri i Brendshëm pakistanez Rehman Malik theksoi se kjo nuk është masë e përkohshme, por përfundimtare. Kurse furnizuesit pakistanezë të karburantit për trupat e Aleancës në Afganistan nuk do të rifillojnë në një të ardhme të afërt dërgesat e lëndës djegëse. Bile më tepër se kaq, ushtarakëve amerikanë iu dha ultimatum që brenda 15 ditëve të largohen nga baza ajrore “Shamsi” në provincën pakistaneze Balochistan.

Olga Denisova