Vladimir - kryeqyteti i lashtë i Rusisë Veri-Lindore, qyteti me famë për kishat e veta gurëbardha me bukuri të paparë të shekullit të XII. Pikërisht Katedralja e mrekullueshme, madhështore Fjetja e Shën Marisë (rus. Успенский Собор - angl. Cathedral of dhe Dormition) e Vladimirit dhe shërbeu si prototip për Katedralen Fjetja e Shën Marisë të Kremlinit të Moskës.

Qyteti i Vladimirit u themelua nga Princi (Kniazi) Vladimir Monomah (Vladimir Monomakh) në vitin 1108. Por lulëzimi, prosperiteti i vërtetë i qytetit i bie periudhës së sundimit të nipit të tij Andrei Bogoljubski (Andrew Bogolyubsky). Në vitin 1157 Andrei Bogoljubski zhvendosi në Vladimir kryeqytetin e principatës së vet.

E filloi Princi (Kniazi) punën për ndërtimin e Katedrales Fjetja e Shën Marisë mbi një shkëmb të thepisur që binte thikë në lumë. Katedralja duhej të simbolizonte fuqinë dhe pasuritë e patreguara të pushtetit të principatës. Sipas kronikës, për ngritjen e këtij tempulli Andrei Bogoljubski shpenzoi një të dhjetën e gjithë pasurisë së vet. Për ndërtimin e shenjtërores me gurë të bardhë gëlqeror u ftuan jo vetëm mjeshtra rusë, por dhe bizantinë e romakë. Sipas idesë së Princit, katedralja nuk duhej të mbetej kurrsesi prapa Tempullit të mbretit Solomon në Jerusalem për nga salltaneti dhe madhështia e vet.

Portalet dhe kulmet e kupolave u mbuluan me bakër të artë. Të krijonte përshtypjen sikur ishte mbuluar me pllaka të arta edhe dyshemeja e tempullit e shtuar me fletë bakri. Porta e hyrjes ishte pikturuar me lajlelule prej ari. Katedralja e Fjetjes së Shën Marisë ishte vërtetë madhështore, e mrekullueshme dhe u bë tempulli kryesor në atë kohë në Rusi! Në altarin e Katedrales së Fjetjes së Shën Marisë u ngritën në fronin e drejtimit të principatave prijësat legjendarë ushtarakë Aleksandër Nevski dhe Dimitri Donskoi. Dhe nuk është për tu habitur aspak që atë kanë tentuar kaq shumë herë që ta shkatërrojnë.

Rrënimit të madh qyteti Vladimir dhe Katedralja e Fjetjes së Shën Marisë iu nënshtruan në kohën e zgjedhës tartaro-mongole, e cila zgjati plot tre shekuj - nga XII-XV. Skena e rrënimit të Katedrales së Fjetjes së Shën Marisë është pasqyruar në filmin artistik “Andrei Rublov” të regjisorit të famshëm rus Andrei Tarkovskij. Ikonografi me famë botërore Andrei Rublov dhe ndihmësi i tij, piktori Daniill Çiornij (Daniil Cherny) pikturuan gjithë Katedralen e Fjetjes së Shën Marisë. Fragmente të këtyre afreskave kanë mbijetuar deri në ditët tona. Në veçanti, disa fragmente të kompozicionit të madh “Gjykimi i Fundit” (“Judgment Day”).

Jashtëzakonisht interesant është edhe Nekropoli i Katedrales Fjetja e Shën Marisë, i vendosur në një galeri të nëndheshme. Atje është varrosur vetë Andrei Bogoljubski dhe vëllai i tij - Vsevollod Bolshoe Gnezdo (Vsevolod Foleja e Madhe).

Katedralja Fjetja e Shën Marisë është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Aktualisht ajo administrohet bashkarisht nga Kisha Orthodhokse Ruse dhe Muzeu rezervat Vladimiro-Suzdal. Në tempull mbahen shërbime të rregullta kishtare, ndërsa në pjesën tjetër të kohës ai është i hapur si muze për vizitorët.

Pranë Katedrales Fjetja e Shën Marisë ndodhet edhe një kryevepër tjetër arkitekturore prej guri të bardhë e Rusisë. Kjo është Katedralja e Shën Dhimitrit (rus. Дмитриевский Собор), i cili u ndërtua nga Vsevollog Bolshoe Gnezdo (Vsevolod Foleja e Madhe) në fund të shekullit të XII. Vsevollod, i pagëzuar me emrin Dimitri, e ngriti atë në lavdinë e shenjtit të tij mbrojtës - Dimitri Sollunskij (Shën Dhimitrit).

Katedralja e Shën Dhimitrit për herë të parë u ngrit vetëm nga mjeshtrat rusë, pa ndihmën e të huajve. Ajo u ndërtua si tempull për pallatin aristokratik dhe ishte i lidhur me të me kulla me shkallë. Tempulli me një kupolë dhe me katër kisha të brendshme është më i vogël se sa ai fqinj me të - Katedralja Fjetja e Shën Marisë. Por megjithatë jo më pak i famshëm se ajo për gdhendjet në gur të bardhë - muret e tij i zbukurojnë qindra barelieve të mrekullueshme, që paraqisin shembëlltyrat e shenjtorëve orthodhoksë, kafshë mistike dhe bimë të rralla.

Edhe një objekt tjetër shumë interesat i qytetit Vladimir janë Portat e Arta (Golden Gate). Ato u ndërtuan në mes të shekullit të XII nga po ai Princ (Kniaz) Andrei Bogoljubskij. Në kronikë është shkruar: ato ishin veshur me fletë bakri të praruar, të cilat shkëlqenin në mënyrë marramendëse në diell, dhe në kuptimin e plotë të fjalës mahnisnin të gjithë bashkëkohësit me bukurinë e vet.

Pranë Portave të Arta ngriheshin ledhe të larta prej dheu - qyteti ishte i fortifikuar mirë.

0Pasi të lini Vladimirin, ju mund të vazhdoni udhëtimin tuaj drejt qytetit-monument Suzdal, i cili ndodhet fare afër tij, dhe të vizitoni Kishën e famshme në gjithë botën të Ndërmjetësimit të Virgjëreshës së Shenjtë në lumin Nerl (rus. Церковь Покрова на Нерли, angl. The Church of the Intercession of the Holy Virgin on the Nerl River).