Shkarko audiofailin

Samiti SHBA-BE, i planifikuar për 28 nëntorin në Uashington, do të bëhet, pa ekzagjerim, moment fatpërcaktues për pjesëmarrësit e tij. Temën do ta shtjellojë më tej në komentin e vet vëzhguesi i Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Pjotër Iskenderov. Autori shkruan:

Sipas burimeve në Uashington të Agjencisë britanike “Reuters”, Presidenti Barack Obama “do të ushtrojë presion mbi zyrtarët evropianë të udhëhequr nga Kryetari i Këshillit të BE Herman Van Rompuy me qëllim që ata “të arrijnë zgjidhjen përfundimtare të krizës me borxhin e tyre sovran”. Arsyeja është shumë e thjeshtë: kriza e borxhit “është shndërruar tashmë në një dhimbje të madhe koke për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 në SHBA” - dëshmon Agjencia “Reuters”.

Po përse është kaq shqetësuese vallë për Administratën e Barack Obamas situata e krijuar në “zonën e euros”? Për vetë faktin se ajo kontribuon në forcimin e monedhës amerikane - dollarit - duke i privuar sistemit të Federal Reserve të Shteteve të Bashkuara mundësinë për të luajtur me dobësitë e kursit. Sepse, në të vërtetë, dollari i fortë nuk është aspak ndonjë e mirë e madhe për ekonominë amerikane. Jo krejt rastësisht Uashingtoni po ushtron paralelisht presion edhe mbi Kinën, e cila është mbajtësja më e madhe e bonove të thesarit amerikan, me kërkesën për të ndryshuar kursin e juan në drejtim të leverdisshëm për SHBA. Teorikisht, Kina dhe BE-ja mund ta shembin ekonominë amerikane. Nuk është aspak e habitshme që Barack Obama nuk dëshiron ta bëjë elektoratin e vet peng të evropianëve dhe kinezëve të pabesë. Pikërisht me këtë arsye, dhe jo sepse u digjet fort barku për kuletat e grekëve, italianëve, spanjollëve dhe taksapaguesve të tjerë evropianë, shpjegohet përkujdesi i madh aktual i amerikanëve për problemet e zonës së euros. Ndërkohë që edhe vetë kriza financiare dhe ekonomike erdhi në Evropë pikërisht nga SHBA - i kujtoi audiencës së Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” ekspertja ruse në fushën e politologjisë krahasuese të Institutit Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Moskës të MPJ të Federatës Ruse (MGIMO) Elena Ponomariova.

- Sepse në vetë nocionin e kapërcimit të krizës përfshihet edhe rregullimi i situatës që lind në vende të veçanta. Bile më tepër se kaq, pikërisht vatrat e krizave që krijohen vazhdimisht dhe çojnë, në fund të fundit, në rritjen e re të jostabilitetit të përgjithshëm. Kurse vetë kriza në radhët e BE-së është e lidhur kryesisht me përpjekjen e Brukselit për të realizuar projekte tej mase ambicioze dhe të kushtueshme gjeopolitike në Ballkan, në hapësirën postsovjetike, në Afrikën e  Veriut, në Lindjen e Mesme. Ndërsa këto projekte, duhet thënë, iu “rekomanduan” në mënyrë mjaft këmbëngulëse evropianëve nga përtej oqeani.

Siç tregon mëse qartë praktika, SHBA e vërejnë Evropën, para së gjithash, si një mjet për kënaqjen e ambicieve të veta gjeopolitike dhe metodë për zgjidhjen e problemeve vetiake.

Pjotër Iskenderov