Kompanitë ajrore të vendeve të BE-së nuk do të paguajnë më taksa për fluturimet mbi Siberi. Anulimin e ardhshëm të tatimeve e shpalli Këshilli i BE-së. Marrëveshja për heqjen e taksave të fluturimeve tranzit është arritur mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian që në vitin 2006.

Anulimi i pjesshëm i tatimeve do të fillojë që në janar të vitit 2012 - që tani e tutje “taksa e qiellit siberian” nuk do të aplikohet më në të gjitha drejtimet e reja ajrore. Kurse në vitin 2014 ajo do të anullohet plotësisht. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje, e cila është shumë e leverdisshme për vendet evropiane, është një lloj garancie e bashkëpunimit të suksesshëm me Rusinë në kuadër të OBT-së, mendon analisti i kompanisë investuese ruse “ATON” Nikita Melnikov.

- Nëse do të analizojmë praktikën botërore, duhet thënë, se rasti i marrjes së parave për fluturimet mbi qiellin e Siberisë është mjaft unikal. Kompanitë evropiane paguajnë një tatim prej 300-400 milionë $ në vit. Ato u gëzuan pa masë kur u zgjidh më në fund ky problem, por për shkak se pranimi i Rusisë në OBT zgjati shumë kohë, marrëveshja u la në sirtar dhe vetëm tani u ngrit sërish për zgjidhje përfundimtare.

Kompanitë e huaja do të kenë mundësi të kursejnë jo vetëm paratë që paguanin më parë për tatimet, por edhe karburantin. Ndërkohë edhe Rusia mund të shpresojë pas kësaj për lëshime të ngjashme nga ana e vendeve evropiane, tha Nikita Melnikov.

- Mendoj se ky itinerar ajror do të fitojë popullaritet të madh, sepse duke ndjekur atë reduktohen shpenzimet për karburantin për arsye të shkurtimit të kohës së fluturimit, ndërsa duke marrë parasysh çmimet aktuale të vajgurit, kjo mund të jetë një shumë serioze.

Buxheti rus do të marrë kompensim në formën e taksave të navigacionit, gjë kjo që përshtatet me praktikën ndërkombëtare. Kompanive ruse hyrja në OBT do tu lejojë të reduktojnë ndjeshëm ato shpenzime që aktualisht janë të fryra padrejtësisht: shpenzimet për tatimet (detyrimet) e importit, harxhimet për karburantin, të cilat janë të lidhura me kompanitë monopoliste të furnizimit me karburant.     

Ekspertët theksojnë, se nuk duhet pritur një rritje e menjëhershme e numrit të kompanive ajrore, të cilat do të fluturojnë mbi Siberi pas anulimit të taksave. Por kjo duhet të ndodhë në të ardhmen, mendon eksperti kryesor i kompanisë ruse të menaxhimit “Finam-Management” Dimitri Baranov.   

- Në qoftë se duam të sigurojmë fitime suplementare, duhet ti modernizojmë aeroportet tona në përshtatje me kërkesat bashkëkohore. Atëhere do të ketë fluturime të reja direkt në qytetet tona. Ndërsa nga kjo, nga ana e vet, do të rrisë fluksin e turistëve në Rusi.

E pritën me entuziazëm të madh heqjen e taksave të tranzitit siberian edhe në Azi. Kompanitë ajrore dhe qeveritë e Kinës, Vjetnamit dhe Malajzisë presin që në rast të hapjes së rrugëve të reja më të shkurtra mbi Siberi, të bien pjesërisht çmimet e biletave. Dhe kjo do të rrisë në mënyrë të qenësishme trafikun e pasagjerëve nga Evropa në këto vende.

Maria Vesnovskaja, Daria Manina